Dita e dytë e takimit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel

Edhe sot vazhdon takimi i shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, në të cilin tema kryesore është shënimi i 75-vjetorit të formimit të Paktit Veriatlantik dhe prioritetet e Aleancës në prag të Samitit në Uashington në korrik të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Takimi dyditor i ministrave filoi dje pasdite me mbledhje në Këshillin Veriatlantik në nivel të shefave të diplomacive.

Në këtë takim, pjesëmarrës ishte edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ai tha se ky është një takim historik ministror i NATO-s, jo vetëm sepse NATO shënon përvjetorin e saj të 75-të, por edhe pasi duke e mirëpritur Suedinë, “ne po e forcojmë unitetin dhe aftësitë tona mbrojtëse për herë të parë si një Aleancë me 32 anëtarë”.

“Fokusi ynë është vendosur mbi çështjet që do të formësojnë konkludimet kyçe për Samitin e ardhshëm në Uashington këtë korrik. Agjenda kyçe është të ndërtojmë mbi angazhimin tonë kolektiv për ndarjen e barrës, me Maqedoninë e Veriut që shërben si shembull, duke arritur objektivin e Samitit të Uellsit. Qëllimi ynë është jo vetëm të ruajmë, por edhe të rrisim investimet tona në mbrojtje në 2.15% të PBB-së deri në vitin 2025”, tha Osmani.

Ai shtoi se vendosmëria e Maqedonisë për të mbështetur Ukrainën mbetet e patundur.

“Uniteti dhe vendosmëria jonë janë forcat tona në avokimin për ndihmë të konsiderueshme për Ukrainën, duke u përballur me sfidat e shkaktuara nga agresioni rus. Sigurisht, këto sfida kanë implikime më të gjera, me Ukrainën vetëm si një pjesë të ambicieve imperialiste ruse, duke kërcënuar Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Kjo kërkon një përpjekje të sinkronizuar midis NATO-s dhe BE-së, duke theksuar urgjencën e integrimit të përshpejtuar Europian dhe Euro-Atlantik për të ruajtur sigurinë tonë kolektive”, tha Osmani.

Takimi vazhdon edhe sot me festimin e 75-vjetorit të themelimit të Paktit, i cili do të fillojë me ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule nga ana e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stolteberg dhe kryetarit të Komitetit Ushtarak të Aleancës, admiralit Rob Bauer.

Festimi do të vazhdojë me fjalimet e Stoltenberg, Bauer dhe të ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Beligjikës, Bullgarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumunisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Hungarisë, Kroacisë dhe Çekisë.

Pas solemnitetit do të mbahet mbledhje e Këshillit të NATO-s – Ukrainë, ndërsa takimi i ministrave do të përfundojë me takim të shefave të diplomacive me përfaqësues të shteteve partnere të Aleancës nga Rajoni Indo-Paqësor, në mesin e të cilave edhe nga Australia, Koreja dhe Zelanda e Re. Në takim do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel.

Ndërkohë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka propozuar një paketë ndihme ushtarake pesëvjeçare për Ukrainën me vlerën 100 miliardë euro, çka do t’i mundësonte aleancës perëndimore një rol më të drejtpërdrejt të mbështetjes për Kievin, thanë pesë diplomatë të martën.

Sipas planit, NATO-ja do të merrte përsipër disa nga detyrat koordinuese të koalicionit ad-hoc, i njohur si grupi Ramstein, një hap që do të mbronte pjesërisht çdo shkurtim të mbështetjes amerikane nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë diplomatët, transmeton VOA.

Propozimi pritet të diskutohet në këtë takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, me synimin për të finalizuar një paketë në prag të takimit të lartë të NATO-s në Uashington në muajin korrik.

Deri më tani, NATO-ja si organizatë nuk e ka ndihmuar Ukrainën me armatime nga droja se një rol i drejtpërdrejtë mund të shkaktojë një përshkallëzim të tensioneve me Rusinë. Shumica e vendeve anëtare të aleancës i ofrojnë Ukrainës ndihma ushtarake në baza dypalëshe.

Por diplomatët thanë se brenda aleancës po shtohet mbështetja për idenë që NATO-ja ta ndihmojë ushtarakisht Ukrainën në aspektin afatgjatë dhe se aleanca mund ta marrë përsipër pjesën më të madhe të këtij roli.

Në bazë të planit, NATO-ja do të krijonte një mision për Ukrainën, megjithëse ishte ende e paqartë nëse misioni do të vepronte brenda vendit, thanë diplomatët. Disa shtete ishin të kujdesshme edhe në emërtimin e operacionit si mision.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se plani është pjesërisht “për t’u mbrojtur kundër erërave të ndryshimeve politike” në çdo vend anëtar të NATO-s.

NATO-ja nuk pranoi të komentonte në detaje lidhur me propozimet e zotit Stoltenberg, por një zyrtar i aleancës tha se ministrat e jashtëm do të “diskutojnë mënyrën më të mirë për të organizuar mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, për ta bërë atë më të fuqishme, të parashikueshme dhe të qëndrueshme”.

“Asnjë vendim përfundimtar nuk do të merret në takimet ministrore të prillit dhe diskutimet do të vazhdojnë ndërsa i afrohemi takimit të nivelit të lartë në Uashington në korrik”, tha zyrtari, i cili kërkoi që të mbetej anonim.

Diplomatët thanë se diskutimet mbi propozimin ishin në një fazë të hershme dhe ishte e paqartë nëse do të miratohej shuma prej 100 miliardë eurosh apo si do të financohej. Të gjitha vendimet e NATO-s kërkojnë konsensus nga 32 vendet anëtare të aleancës.