Sonte në Tetovë luhet premiera e shfaqjes “Ëndrra evropiane”

Teatri i Tetovës duke filluar prej orës 20:00 do të shfaq premierën e shfaqjes “Ëndrra evropiane” me tekst të Jeton Neziraj, ku do të luajnë gjashtë aktorë, transmeton Portalb.mk.

Shfaqja do të luhet nga Arlind Selimi, Burham Amiti, Jetmir Arifi, Linda Shabani, Merita Limani dhe Shkumbin Zeqiri. Blerta Neziraj do të jetë regjisore.

Shfaqja do të luhet në Qendrën e Kulturës, ndërsa nesër pritet te jepet repriza.

“Ëndrra evropiane” është rrëfim tragji-komik për një ëndërr të dështuar. Peeri, personazhi i kësaj drame, i udhëhequr nga shpresa për jetë më të mirë dhe të lumtur, niset për të kërkuar ta ardhmen në “parajsën” e quajtur Evropë. Ajo që ndodhë me këtë të ri gjatë udhëtimit emigrues, i shpalos përvojat e shumë desperadove të rinj, të cilët çdo vit, të mbushur me shpresë për një jetë ndryshe përtej kufijve, e lëshojnë atdheun e tyre. Në atdheun e tyre të ri, ata shpeshherë ndihen të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar e të papërfshirë në shoqëri dhe me ndjenjë nostalgjie për shtëpinë e të parëve. Kështu që, jo rrallëherë ëndrra për një jetë më të mirë u bëhet një makth i vërtetë.