Sonte në Tetovë “Diaspora në objektivin e Ixhet Lutfiut”, filmi dokumentar që dëshmon për rolin shqiptarëve në Danimarkë

Filmi dokumentar kishte premierën në institutin danez të filmit në vitin 2020, ndërsa sonte do jepet para publikut tetovar në kuadër të programit “Festojmë në vendlindje”, në orën 19.00, lokacioni Radio Tetova, njofton Portalb.mk

Promovimi i këtij filmi premierën e ka pasur në Kopenhagë, më 15 nëntor 2020 dhe ishte fryt i bashkëpunimit që e vuri regjisori Ixhet Lutfiut mes Institutin Danez të Filmit dhe  ish- Ministrinë e Diasporës të RMV- së.

Filmi dokumentar i kushtohet historikut 55 vjeçar të shqiptarëve në Danimarkë dhe kontributit të Danimarkës dhe miqve danez për çështjen shqiptare.

Regjisori Ixhet Lutfiu ka punuar si gazetar 30 vite si dhe udhëheqës në Radio TV “Zëri i Kosovës”, me këtë rast ai falë qasjes që ka pasur, ka shfrytëzuar arkivin e këtij mediumi për ta krijuar narracionin bazë për këtë film dokumentar i cili zgjat dy orë e 15 min.

Regjisori Ixhet Lutfiu sjell ekskluzivisht materiale të dokumentuara, të prezencës së shqiptarëve në literaturën daneze nga kohët më të hershme, para se të fillojnë marrëdhëniet diplomatike shqiptaro -daneze, siç është rasti i prezantimit i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, nga babai i literaturës daneze Ludvig Holberg në librin e tij “Tregime apo histori për heronjtë”, botuar për herë të parë në vitin 1739, ku shkruan se Skënderbeu është̈ gjenerali më i madh i të gjitha kohërave.

Filmi dokumentar pasqyron edhe kontributin e tre albanologëve danez për gjuhën shqipe, ku më i spikaturi është̈ Holger Pedersen i cili është i njohur me thënien e tij se “Gjuha shqipe është krenaria e folësve të saj”.

Gjithashtu në filmin dokumentar shihet se për çështjen e Kosovës Danimarka futet në luftë pas 135 vitesh paqe dhe është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e shtetit më të ri në botë dhe ka kontribuar, përveç me mjete e projekte të ndryshme edhe në shtetndërtimin e tij, duke i dhënë Kosovës edhe dy administratorë në regji të OKB-së Søren Jensen Petersen dhe Hans Hakerup, të cilët edhe shkruan libra për punën e tyre në Kosovë.

Në film pasqyrohet se më 13 mars të vitit 1970 themelohet Shoqata e parë e miqësisë̈ shqiptaro-daneze, kurse më 29 maj 1970 fillojnë edhe marrëdhëniet diplomatike, të cilave i paraprinë fillimi i marrëdhënieve kulturore për çka edhe nënshkruhet një̈ marrëveshje në mes dy ministrive përkatëse, përkatësisht ministrave të kulturës të Danimarkës dhe Shqipërisë.

Shqiptarët në Danimarkë bëjnë pjesë në grupin e komuniteteve që më së miri janë të integruar në shoqërinë daneze dhe si të tillë edhe janë shquar me rezultatet e shkëlqyera në shumë lëmi: Restoranti “Noma” në pronësi të Rene Rexhepit (me origjinë shqiptare) shpallet katër herë si restoranti më mirë në botë. I riu Muedin Idrizi në vitin 2009 fiton titullin e kampionit botëror në Thai boks kurse Shpend Abazi nga Sllatina e Tetovës në vitin 1999 bëhet kampion evropian në kategorinë bantam. Vëllezërit Besmir e Jimilian Ismaili kanë shënuar rekord në historikun e muzikës daneze për dëgjueshmërinë e këngëve të tyre. Ndërsa Edita Ademi është një talente tjetër (në sport), e cila me shkathtësinë e saj në karate i ka sjellë Danimarkës shumë medalje ndërkombëtare.

Si futbollist janë shquar Riza Durmishi (që luan për kombëtaren daneze) Bajram Fetai, Berat Beçiri e Bardhec Bytyçi. Kurse në aktrim spikasin Besir Zeqiri e Ixhet Lutfiu.

Në film pasqyrohet edhe guximi e heroizmi i bashkatdhetarit tonë nga Kaçaniku, Bekim Çallaku i cili ndërhyn në një rast  duke mposhtur një sulmues kriminel danez që kishte nën sulm një grua daneze dhe foshnjën e saj duke e therur me thikë 21 herë. Ndërhyrja e Bekimit e shpëtoi nga vrasja e sigurt foshnjën dhe nënën e saj, për çka autoritetet daneze në vitin 2014 e shpallën Bekimin personin e vitit, kurse fondi ndërkombëtar Carnegies, për heroizmin e treguar e shpërbleu Bekimin me mirënjohje për heroizëm dhe me një̈ shumë prej 20.000 kruna daneze, shumë kjo që u përdor për t’i ndihmuar familjet e varfëra në Komunën e Kaçanikut.

Të gjithë̈ këta shembuj e shumë të tjerë̈ të shqiptarëve, në lëmi të ndryshme si mjekësi, informatikë, pikturë, etj. i kanë sjellë të mira materiale e rezultate të mira Danimarkës dhe përmenden në filmin dokumentar të regjisorit Ixhet Lutfiu. Kur jemi te piktura e arti vlen të veçojmë̈ artistin Bajramali Idrizi i cili ka shpenzuar mbi 500 orë pune për të gdhendur dhe portretizuar figurat e heronjve Adem, Hamzë e Shaban Jashari në një̈ pllakë graniti, vepër kjo e vendosur në muzeun e Jasharajve në Prekaz. Në të njëjtën mënyrë, ky artist, ka portretizuar edhe figurën e mbretëreshës daneze Margrethe II,  e cila pastaj, në shenjë falënderimi, i dërgon Bajramaliut një letër mirënjohëse.

Siç shihet edhe në filmin dokumentar, me shumë histori suksesi individual të shqiptarëve, komuniteti shqiptar është̈ një̈ komunitet i mirë integruar në shoqërinë̈ daneze dhe është̈ komunitet, ndoshta i vetmi në diasporën shqiptare që ka historikun e vet (55 vjeçar) të përmbledhur në dy orë e 15 min. në celuloid, falë regjisorit Ixhet Lutfiut, të cilit duhet t’i jenë mirënjohës të gjithë̈ shqiptarët.

* Nga viti 2018 Filmi dokumentar është laureat i çmimit që e ndanë Ministria e Diasporës e RK për Shkrimin më të mirë, përkatësisht emisionin më të mirë televiziv kushtuar diasporës.

* Komuniteti shqiptar në Danimarkë ka rreth 20.000 pjesëtarë̈ të saj.