Sonte në Tetovë Anita Aziri do të sjellë koncertin për 25 vite karrierë, hyrja falas
Sonte (23 maj) në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me fillim nga ora 19:30, këngëtarja Anita Aziri së bashku me grupin Artemis do të sjellë koncertin e saj solistik për 25 vite karrierë, shkruan Portalb.mk.
Anita Aziri, është bërë një emër i njohur dhe i dashur për publikun, ndërsa karriera e saj është një shembull frymëzues i përkushtimit, talentit dhe dashurisë për muzikën dhe traditën.
Ajo për Portalb.mk tha se koncerti do të përfshijë një repertor të pasur me këngë autoriale, këngë shqipe të përpunuara dhe shumë risi të tjera.
“Të premtën, në koncertin tim solistik, do të sjellë një mbrëmje të veçantë për të gjithë adhuruesit e muzikës sime. Do të interpretojë këngët e mia të para që kanë autoresi autodial, por edhe këngë të dashura shqipe, të cilat i mbaj afër zemrës. Do të ketë emocione të forta, bashkëpunime të papritura dhe një atmosferë që do të na bashkojë përmes muzikës. Për këtë koncert kam veçuar një këngë të re, e cila është rikthyer dhe ripunuar me një frymë të re, ndërsa të tjerat janë përpunime të këngëve të njohura, por të sjella sipas stilit dhe interpretimit tonë unik”, tha Aziri.
Ajo edhe më tej shtoi se për 25 vite karierë është ballafaquar sfida të ndryshme, por këto sfida e kanë bërë më të fortë.
“Rruga deri në këtë përvjetor ka qenë plot me sfida, por edhe me bekime të mëdha. Si çdo artist, jam përballur me vështirësi të ndryshme. Por pikërisht ato më kanë formuar dhe më kanë bërë më të fortë. Çdo pengesë ka qenë një mësim, dhe çdo sakrificë ia ka vlejtur kur shoh se këngët e mija prekin zemrat e njerëzve. Arritjet më të mëdha i shoh te dashuria e publikut dhe ne faktin që sot, pas gjithë këtyre viteve, mund të festoj këtë përvjetor me një koncert të plotë”, tha Aziri.
Ajo potencoi se të qëndruarit në skenë kërkon përkushtim dhe sinqeritet.
“Të qëndrosh në skenë kërkon forcë, përkushtim dhe sinqeritet. Nuk është e lehtë, por unë gjithmonë përpiqem të jem vetvetja. Autenticitetin e ruaj duke kënduar nga zemra dhe duke qëndruar besnike ndaj rrënjëve dhe stilit tim”, tha Aziri.
Për të gjithë artdashësit të cilët duan të jenë pjesë e këtij koncerti, hyrja është e lirë.