Sonte koncert madhështor me SHKA “Xheladin Zeqiri” në sheshin e Tetovës

Një tjetër mbrëmje e paharruar e pret Tetovën në kuadër të verës tetovarë “Festojmë në vendlindje” organizuar nga Komuna e Tetovës , njofton Portalb.mk

Afishe e koncertit të sontëm ne sheshin e Tetovës
Afishe e koncertit të sontëm ne sheshin e Tetovës

Një tjetër festë, një tjetër koncert, i pasur për të gjitha grup moshat. Sonte, në orën 20:30, në sheshin “ILIRIA”, SHKA “Xheladin Zeqiri” sjellë koncertin madhështor për nder të mërgimtarëve.

SHKA “Xheladin Zeqiri” historiku i shkurtës i kësaj shoqate kulturore artistike

Aktiviteti i kësaj shoqërie daton që nga viti 1943 me emrin “Rinia Shqiptare“. Shtytës të kësaj veprimtarie ishin aktivistë të çeshtjes kombëtare nga Shqiperia dhe Tetova, të cilët aktivitetet e tyre i zhvillonin në ndërtesën e Shoqatës për Kulture fizike “Partizan“ ne Tetovë. Në atë kohë shfaqet edhe drama a parë shqipe „Lulja e kujtimit“ në regji te Qemal Haxhiosmanit nga Elbasani,ndersa rolin kryesor te femres e luan Vera Tetova nga Tirana. Kjo Shoqëri me lejen e Lidhjes se Shoqërive Kulturore-Artistike, në Tetovë më 13.04.1949 regjistrohet me emrin Shoqëria Kulturore Artistike Shqiptare „Xheladin Zeqiri“, sipas emrit të dëshmorit tetovar Xheladin Zeqiri i cili për ideale kombëtare me brigadën e VII (shtatë) lufton dhe vritet ne Frontin e Sremit.

Në periudhën pas themelimit, Shoqëria gjatë evolutës së vet shënoi hapa të rëndësishëm në zbulimin e traditës autoktone të këtij nën qielli, kultivoi me etje arritjet bashkëkohore shqiptare në lëminë e kulturës shpirtërore dhe ishte dritare e vetme e hapur nga ardhmëria dhe dritë në tunelin e pafund që kaloi populli shqiptar e posaçërisht popullata e kësaj ane. Ajo luajti rol te rëndësishëm në emancipimin dhe barazimin e femrës dhe mashkullit, ndikoi pozitivisht në krijimin e idealit te ri ndaj bashkëkohësisë sonë. Shumë femra, tanimë gjyshe dhe shume prej tyre të ndjera, që dikur ishin aktiviste të dalluara, Shoqërinë “Xheladin Zeqiri“ e kanë pasur shtëpi të dytë.

Grupet që me sukses me dekada kanë vepruar në gjirin e „Xheladin Zeqirit“ janë: grupi i këngëve dhe valleve,grupi i dramës,grupi letrar, seksioni i piktorëve, grupi i muzikës argëtuese, kori i përzier  dhe i femrave etj. Në këto grupe kanë vepruar artist eminent, shkrimtarët më të njohur, piktorë me renome etj. Nga këto seksione më vonë u themeluan: Shoqata e Shkrimtarëve të Tetovës, Kolonia e artistëve të pikturës dhe Teatri i Tetovës. Gjatë lëvizjeve demokratike, më 1991 me angazhimin e anëtarëve të vjetër dhe enthuziastëve të ri Sh.K.A.Sh “Xheladin Zeqiri“ u rimëkëmb përsëri me të gjitha seksionet e saja, por që aktivitetet ishte e detyruar t’i zhvillojë në një shtëpi private. Edhe pse në kushte shumë të rënduara, falë entuziazmit të kryesisë dhe anëtarëve, Shoqëria për një kohë të shkurtër arriti një nivel të lartë dhe pasojnë paraqitje shumë te suksesshme para publikut me koncerte dhe pjesë dramatike që përjetuan nga disa reprizime te cilat kishin kritika shumë të larta nga publiku dhe ekspertët.

Xheladin Zeqiri është fituese e festivalit të parë të këngës së vjetër qytetare si dhe fituese e shumë festivaleve të këngëve dhe valleve në Kosovë e Maqedoni. Me 1996 „Xheladin Zeqiri“ shpallet si shoqëri më e suksesshme në Maqedoni me 6 lëvdata të fituara në manifestimet e organizuara brenda në Maqedoni dhe jashtë saj. Sot falë lëvizjeve pluraliste pozitive dhe me hapjen e shkollave të muzikës në gjuhën shqipe në qytetin tonë “ Xheladin Zeqiri“ dukshëm arriti të ngrit nivelin në të gjithë aspektet. Tani më veprojnë specialistë të muzikës, solistë dhe soliste si dhe instrumentistë të shkolluar që garantojnë ardhmëri edhe më të ndritur të shoqërisë me tendencë që me ndihmën e te gjithë dashamirësve dhe kompetenteve si në aspektin moral po ashtu edhe material t’i vihen „themelet“ e filarmonisë shqiptare në Tetovë.