Sllobodan Ivanovski është u.d. drejtori i ri i Policisë Financiare, Xhevat Selami i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim

Qeveria në mbledhjen e djeshme emëroi drejtorët e rinj të Policisë Financiare dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), transmeton Portalb.mk.

Për u.d. drejtor i Drejtorisë së Policisë Financiare është emëruar Sllobodan Ivanovski, magjistër i shkencave juridike. Ka përvojë pune shumëvjeçare në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP), ndërsa për momentin është kryetar i Komisionit për kundërvajtje në DAP– Drejtoria rajonale Prilep.

Xhevat Selami është emërtuar u.d. drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Selami është i diplomuar në drejtësi, ka qenë anëtar i disa grupeve punuese, ka qenë profesor në gjimnazin “Arseni Jovkov” në Shkup, ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2020 ka qenë udhëheqës i Departamentit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe për momentin është shef i një departamenti në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe të Shpëtimit.

Në seancën e qeverisë u mor vendimi, në përputhje me ribalancimin e buxhetit të miratuar, që të paguhen të gjitha pagat e prapambetura për mbi 2000 punonjës në Pyjet Kombëtare.

Kujtojmë se në seancën paraprake Qeveria e Maqedonisë së Veriut emëroi Fikret Hoxhën u.d. në pozitën e zëvendësdrejtorit të Burgut të Manastirit, Garip Kaba u.d. zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Doganave, Suzana Jordanovska u.d. drejtore në Laboratorin shtetërore fitosanitar, ndërsa Romeo Trenov u emëruar drejtor në Drejtorinë e Menaxhimit të Ujërave.