Skena e Muzikës Serioze Shqiptare, sonte në Maqedoninë e Veriut emra të mëdhenj të muzikës klasike

Skena e Muzikës Serioze Shqiptare vazhdon të sjellë koncerte cilësore me emra të mëdhenj të artit. Këtë herë më datë 3 gusht vjen koncerti në Gostivar me fillim në orën 20.30 me këtë rast shënohet dhe edicioni i dymbëdhjetë me radhë, transmeton Portalb.mk

Ky është një festival i ngritur mbi ideale të shëndosha artistike. Këtë e dëshmon aktiviteti njëmbëdhjetëvjeçar i festivalit, ku kanë qenë të pranishëm figurat dhe ansamblet më të spikatur të muzikës klasike shqiptare dhe më gjerë, si Ermonela Jaho, Inva Mula, Petrit Çeku, Shkëlzen Doli, Ramë Lahaj, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Genc Tukiçi dhe shumë të tjerë.

Duke e parë vit pas viti konceptin e festivalit, mund të vërehet kërkimi që bëjnë organizatorët drejt formave dhe ideve të reja artistike, duke qenë kështu frymëzim për publikun, që nga më të vegjlit e deri tek të rriturit. Kualiteti dhe ekselenca janë gjithmonë prioritet i këtij festivali. Bashkë me artistët pjesëmarrës, bëhet një përzgjedhje e kujdesshme e programit, duke gërshetuar traditën klasike me standarde të reja interpretative, si dhe duke mos e anashkaluar edhe muzikën bashkëkohore. Kjo arrihet duke u ofruar artistëve kushte optimale për punën e tyre kreative dhe interpretuese.

Rreth orkestrës dhe projektit

WBYO Accelerando është një projekt i mbështetur nga BE për të çuar përpara zhvillimin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor (WBYO). Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor (WBYO) është një iniciativë novatore që krijon një orkestër profesionistësh të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Orkestra u themelua në vitin 2019 nga Desar Sulejmani, dirigjent, pianist dhe vizionar gjerman me origjinë shqiptare. Ideja e tij është që pas orkestrës të bashkojë të rinjtë e rajonit, duke thyer barrierat dhe duke nxitur paqen afatgjatë, duke shfaqur zhanre nga muzika klasike në pop dhe rock. Platforma për muzikantët e rinj do të funksionojë përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore, duke kontribuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik.

Për projektin e Verës 2024, të quajtur “WB Go Pop & Rock” hapën rreshtat për muzikantë nga 17 vende të ndryshme. Ka muzikantë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së, vendet e tyre fqinje, vendet anëtare të BE-së dhe jashtë saj. Nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Kosova, Holanda, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Romania, Rusia, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

WBYO prezanton në verën e vitit 2024 këngët e preferuara të rajonit Pop & Rock në kombinim me veprat e njohura klasike të Verdit, Villa-Lobos dhe Mussorgsky. Këngët e njohura Pop & Rock nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, janë aranzhuar nga kompozitorë/orkestrues të rinj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja si pjesë e Thirrjes së Dytë të Hapur për Kompozim/Aranzhime të Orkestrës.