Sindikatat kërkuan 450 euro rrogë minimale, ministri Durmishi premtoi që kjo kërkesë do të shqyrtohet në KES

Ministri për Ekonomi dhe Punë, Besar Durmishi, ka paralajmëruar se në takimin e parë të Këshillit ekonomik-social do të diskutohet për kërkesën e sindikalistëve për rritjen e rrogës minimale në 100 ditët e para të Qeverisë së re, transmeton Portalb.mk.

Durmishi ka theksuar se do të organizohet dialog i hapur rreth kërkesës së sindikalistëve për të rritur rrogën në 450 euro që në 100 ditët e para të Qeverisë.

Sindikalistët para zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 8 maj, kanë kërkuar nga Qeveria e ardhshme disa kërkesa, si kërkesa për rroga minimale të jetë 450 euro brenda 100 ditëve të para të qeverisë, pagesa për shujta për të gjithë punëtorët në vlerë sa 20 % i rrogës mesatare, mbulimi i shpenzimeve për transport.

Ndryshe, rroga mesatare mujore neto për të punësuar gjatë muajit prill 2024 ishte 41 085 denarë, ndërsa paga mesatare mujore bruto ishte 61 703 denarë.

Në Ministrinë e Ekonomisë do të kryhet revizion që nga viti 2015 e këndej për të parë se si ka punuar pushteti paraprak. Këtë mes tjerash sot (4 korrik) e njoftoi ministri i ri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.