Sikur statuja femër, pa lindur fëmijë, do të mund të fliste, këto do të ishin fjalët e saj

Shkruan: Meri Jordanovska, zëvendës kryeredaktore në Meta.mk.

“Në vend që të shëtisësh një qen, shëtit një fëmijë!”, më tha një grua e moshuar teksa po e shëtisja Ljiljanën (nuk është problem nëse ju vjen për të qeshur me emrin), ndërsa qeni im afrohej nga ajo dhe i gëzohej duke e tundur bishtin para dyqanit të lagjes. Më lindi dëshira ta ndaloj gruan që ma dha këtë këshillë të paçmuar përderisa po ecte me çantat e saj plot ushqime, se nuk është hera e parë që më kanë dhënë një këshillë të tillë, natyrisht “në qëllimin më të mirë”. Dëshirova ta ulja në stolin e parë dhe t’i tregoj se pse pranë qenit tim nuk ka një fëmijë. Sinqerisht, nuk ndjej ndonjë nevojë të veçantë për t’i justifikuar vendimet e mia, por shoqëria me sa duket vazhdimisht po bën presion që të shpjegosh se pse po shëtit me qen e pa fëmijë. Ose se pse shëtit vetëm. Pse ke burrë, por nuk ke fëmijë? Pse nuk ke burrë dhe nuk ke fëmijë.

Ndoshta nuk dua të kem fëmijë. Ndoshta nuk mund të kem fëmijë. Ndoshta për momentin jam duke kaluar plot vështirësi që të kem një fëmijë. Ndoshta një gjendje e caktuar shëndetësore nuk më lejon të kem fëmijë. Por me sa duket se kjo gjë nuk u intereson njerëzve, para se të të etiketojnë si “pa fëmijë”. Dhe kjo, sipas rregullit, sikur do të thotë që për ty nuk ka të ardhme, ti kthehesh në një objekt keqardhjeje, si statujë e një gruaje përballë së cilës qëndrojnë dhjetëra njerëz që njëri-tjetrit i pëshpërisin: “Sa mirë do të ishte sikur të bënin një fëmijë”, “Kam dëgjuar se kanë pasur probleme, nuk kanë mundur”, “Lëre, u munduan, thonë se kanë bërë shumë in-vitro”, “Një ditë do të pendohen për këtë, por donin të bënin karrierë…”.

Sikur të mund të fliste ajo statujë me siguri do të thoshte se çdo gruaje, që me apo pa dëshirën e saj nuk ka fëmijë, me siguri i është dashur kohë e gjatë që ta “kapërdijë” faktin që mbase nuk do jetë si të gjitha të tjerat. Atëherë ajo statujë e një gruaje duhet të pranojë edhe shumë gjëra të tjera – pse nuk e ka bërë këtë gjë më herët, pse nuk e ka bërë kur prindërit e saj ishin më të rinj e do mund ta ndihmonin, pse nuk e ka bërë kur pothuajse të gjithë të brezit të saj e kanë bërë, pse pikërisht ajo ka një gjendje të caktuar shëndetësore ku duhet të zgjedhë mes vetes dhe shtatzënisë, ose thjesht – pse nuk ka nevojë që të ketë një fëmijë.

Me ato miliona “pse” ajo statujë e një gruaje fillon të ndjehet si më pak grua, me më pak vlerë, sikur në mes të ballit t’i shkruante: “dështove”. E kështu, ngadalë, ajo statujë fillon të ndjejë sikur e humbet vlerën e saj, edhe pse duket njësoj, qëndron drejt, vlen shumë.  Por të gjitha frikërat, vrasësi i psihës së gjithsecilit, sjellin mijëra momente kur ajo ndjen sikur duhet të japë shpjegime, të arsyetohet, madje edhe kur askush nuk e kërkon këtë nga ajo. E të mos flas pastaj për të gjitha momentet e shumta të mrekullueshme, por edhe sfilitëse, ditëlindjet e fëmijëve nga të cilat kthehesh duke qarë, aq shumë petulla për të cilat nga njëra anë gëzohesh, por nga tjetra vuan tmerrësisht brenda vetes.

Të gjitha këto gra nuk janë thjesht statuja të cilave një kalimtar i rastit duke dalë nga dyqani i lagjes mund t’u “pështyjë” diçka në fytyrë, me dy-tre fjalë, gjoja për t’i vetëdijesuar. Asnjëra prej tyre nuk duhet të ndihet si një grua me vlerë më të ulët sepse nuk ka lindur një fëmijë. Asnjëra prej tyre nuk është më pak grua sepse nuk e ka realizuar veten si nënë. Realizimi si nënë nuk është e vetmja gjë që na bën një grua. Vlera jonë është shumë më e madhe, qoftë edhe nëse do të bëheshim nëna. Besoj se të jesh nënë është ndjenja më sublime në këtë botë, një ndjenjë që i jep kuptim jetës dhe një ndjenjë që të çon përpara, por gjatë realizimit të vetes tonë ne nuk duhet të mbështetemi vetëm tek ajo ndjenjë.

Realizimi është shumë më shumë se realizimi i lindjes. Njoh shumë gra që e kanë realizuar veten plotësisht përmes profesionit të tyre, përmes njohjes së botës, udhëtimeve, shoqërimeve, aktiviteteve të ndryshme humanitare, ngritjes së vetëdijes publike, duke gjetur lumturinë në gjëra që gruaja para dyqanit të lagjes nuk do i kuptojë. Edhe ato gra janë po aq, ndonjëherë edhe më të lumtura se ato që e kanë realizuar veten si nëna. Njësoj siç ka nëna që janë të pakënaqura, edhe pse e kanë realizuar veten në këtë drejtim. Edhe kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë objekt gjykimi i askujt.

Besoj që të qenit nënë është ndjenja më fisnike në botë. Por, nuk është e vetmja. Forca e një gruaje është shumë, shumë më e thellë dhe më e madhe se kaq. Ne nuk na identifikon vetëm të qenit nënë, edhe pse unë personalisht nënat i konsideroj si heroinat më të mëdha. Por, nëse do ta takoja sërish atë gruan para dyqanit të lagjes- nuk do i arsyetohesha.  Por, megjithatë, këtë herë më e fortë, do t’i thoja që brenda meje kam dashuri për çdo gjallesë në këtë botë, përfshirë këtu edhe kafshët, njerëzit dhe jetimët që mund të mos kenë gjenet e mia (se nuk janë mbretërore), por unë me gjithë zemër do i mirëprisja në jetën time sepse kam se çfarë të jap.

Nuk ka asgjë të keqe të mos kesh fëmijë, edhe të mos mund të bësh fëmijë, edhe të përpiqesh të bësh fëmijë, edhe të mos përpiqesh, nëse nuk e duam një gjë të tillë. E drejta për të zgjedhur është e jona dhe vetëm e jona. Nëse dikush nuk e kupton këtë problemi është tek ai, jo tek ne. Është një ndjenjë sublime ta gjesh forcën dhe ta pranosh dhe ta duash veten ashtu siç je – sepse besoj se secili prej nesh ka një mision të caktuar në këtë jetë. Ky mision nuk mundet dhe nuk duhet të jetë gjithmonë mëmësia, dhe në këtë nuk ka asgjë të keqe!