Si u bë doracaku i shkollës së mesme për heteroseksualitetin një doracak për dezinformata?

Në vitin 1972 Martin Rochlin, pionier në fushën e psikoterapisë afirmative të homoseksualëve, botoi një doracak me të cilin donte që nëpërmjet parodisë t’i kapë të gjitha paragjykimet dhe stereotipet për homoseksualët. Kështu, në vitet e shtatëdhjeta u krijua „Doracaku heteroseksual“ (The Heterosexual Questionaire), i cili në njëfarë mënyre, vetëm se me një interpretim të gabuar, gjendet në arsimin në Maqedoni në fletët e punës për nxënësit e shkollave të mesme – Edukimi për shkathtësi jetësore të botuara që në vitin 2011 nga qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Dymbëdhjetë vjet më vonë, pra sot, ky doracak është bërë temë kryesore me reagime të ashpra në rrjetet sociale, ndërsa në Strumicë “Fronti i prindërve” organizon një tubim informativ, kundër, siç thonë ata, ideologjisë gjinore në përmbajtjen mësimore në arsimin fillor dhe të mesëm. Mbetet e paqartë se si këto fletë pune u aktualizuan pikërisht tani, ndërkohë që reagimet nuk po shuhen edhe përkundër shpjegimeve dhe demantit nga ana e Byrosë për Zhvillim të Arsimit (BZHR). 

E vërteta për këtë doracak është pak më ndryshe nga ajo që i prezantohet publikut. Gjegjësisht, në fletët e punës, në pjesën ku janë pyetjet për heteroseksualët, shkruan:

  1. Çfarë mendoni se e shkaktoi heteroseksualitetin tuaj?
  2. Kur dhe si e kuptuat për herë të parë se ishit heteroseksual/e?
  3. A është e mundur që heteroseksualiteti juaj të jetë vetëm një fazë që do ta kapërceni?
  4. A është e mundur që heteroseksualiteti juaj të burojë nga frika nga e njëjta gjini?
  5. Nëse nuk keni kryer marrëdhënie seksuale me një pjesëtar të gjinisë suaj, a është e mundur të jeni homoseksual/e?
  6. Nëse heteroseksualiteti është normal, atëherë pse kaq shumë heteroseksualë janë persona me çrregullime mendore?
  7. Pse ju heteroseksualët përpiqeni t’i detyroni të gjithë të kenë orientimin tuaj seksual?
  8. Pse duhet ta promovoni heteroseksualitetin tuaj kudo? A nuk mund të jeni vetvetja pa bërë shumë zhurmë?

Pyetjet origjinale në “Doracakun heteroseksual” dhe këta në fletët e punës janë identike, por në fletët e punës kuptimi i tyre është keqinterpretuar krejtësisht.

Qëllimi i autorit të doracakut origjinal, siç shihet nga një numër i madh i përshkrimeve në të, është që heteroseksualët të vihen në vendin e homoseksualëve që të mund ta kuptojnë se si ndjehen ata kur përballen me pyetje të ndryshme dhe nuk pranohen nga shoqëria.

“Qëllimi i tij ishte që të ngjallte empati tek heteroseksualët për atë se si është të jesh homoseksual në një shoqëri heteroseksuale. Hulumtimi i cili u zbatua në vitin 1972, i vendos përkohësisht njerëzit heteroseksualë në këpucët e homoseksualëve duke u parashtruar pyetje dhe duke bërë supozime që sfidojnë mendimin heteroseksual si “normal”. Lexuesi ftohet në një mjedis të kundërt me qëllim që të demonstrohet absurditeti i shoqërisë “ne/ata” në raport me seksualitetin”, thuhet në përshkrimin e doracakut.

“Pyetësori është një parodi e pyetjeve të cilat me përdorimin e konvertimit  terapistët ua parashtrojnë individëve në lidhje me seksualitetin e tyre, por ky pyetësor i zëvendëson pyetjet e zakonshme rreth homoseksualitetit me pyetje rreth heteroseksualitetit,” thuhet në një përshkrim tjetër për të njëjtin doracak.

Autori i doracakut origjinal, ose ushtrimit me ndihmën e pyetjeve, Martin Rochelin ndërroi jetë më 20 tetor të vitit 2003, në moshën 75 vjeçare pas një beteje të shkurtër me kancerin, por doracaku i tij vazhdon të shkarkohet dhe përdoret në një numër të madh dokumentesh të tjera, hulumtime, doracakë dhe ushtrime.

Kështu, të njëjtat pyetje në vitin 2005 u gjetën në Doracakun për të rinj  të botuar nga organizata joqeveritare “Përfaqësuesit për të rinjtë”, të cilët i janë përkushtuar krijimit të programeve dhe përfaqësimit të politikave të cilat u ndihmojnë të rinjve të marrin vendime të informuara dhe të përgjegjshme për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues.

Mund të shihet se fletët e punës që përdoren në Maqedoni janë kopjuar pikërisht nga këtu, por me sa duket, autoritetet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit kanë harruar të fusin një fjali të rëndësishme në lidhje me ushtrimin, e cila është theksuar në Doracakun për të rinj nga organizata joqeveritare amerikane ” Përfaqësuesit për të rinjtë”: Qëllimi i këtij ushtrimi është t’u japë mundësi njerëzve “straight” të përjetojnë disa lloje të caktuara të pyetjeve të cilat u parashtrohen shpesh homoseksualëve, lezbikeve dhe/ose biseksualëve.

Në fletët e punës që përdoren në Maqedoni kjo pjesë mungon, ndërkohë që është gabuar edhe emri i autorit të doracakut – në vend të Martin Rochlin thuhet se autor është Eric Jost nga organizata joqeveritare amerikane ” Përfaqësuesit për të rinjtë”, gjë që nuk është e vërtetë.

 

Printscreen, fletët e punës që përdoren në Maqedoni
Printscreen, fletët e punës që përdoren në Maqedoni

 

“Nëse e merrni seriozisht doracakun, me siguri ndjeheni pak depresiv, defanziv dhe ndoshta edhe pak i turpëruar. Tani imagjinoni sikur kjo është realitet, e jo një ushtrim. Për më tepër, imagjinoni që e gjithë shoqëria, familja juaj, miqtë po jua bëjnë këto pyetje dhe me ngulm kërkojnë përgjigje. Jo vetëm që vihet në dyshim seksualiteti, ndjenjat, trupi juaj, por tani duhet të mbroni edhe një grup të tërë njerëzish që kanë një ngjashmëri me ju”, thuhet në një nga ushtrimet e shumta ku përdoret ky pyetësor.Dhe kjo është e gjithë poenta e tij, e cila mungon në fletët e punës për nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoni, e që tani është objekt i një numri të madh dezinformatash.