Besa Sali, pianistja dhjetëvjeçare që fitoi çmim në SHBA (Intervistë)

Besa Sali është një pianiste dhjetëvjeçare nga Tetova, e cila në maj të këtij viti në garën “International Youth Music Competition” e fitoi vendin e dytë në kategorinë Muzikantë të rinj: Junior 1. Ajo më 3 shtator është thirrur në New York të SHBA-ve, bashkë me fituesit e çmimeve tjera për të marrë pjesë në koncert në “The 2023 Prize Winners Recital”. Besa, dy vite më parë, në të njëjtën garë por që atëherë është mbajtur në Atlanta, e ka fituar çmimin e parë.  Në intervistë me Portalb.mk, ajo flet për sfidat e saj si pianiste dhe emocionet e garës. 

Intervistoi: Arbnora Miftari

Portalb: Besa, prej kur ke filluar të luash piano? A e ke dashur prej atëherë pianon apo ke mësuar ta duash me kohë?

Besa Sali: Unë fillova të luaj në piano kur isha 4 vjeçe. Instrumentin më kanë thënë e doja edhe para se të filloj t’i bie.  Kam pasur kureshtje për instrumentin kur isha edhe më e vogël. Inçizimin e parë me instrumentin e kam nga mosha kur i kisha 2 vjet e gjysmë.

Portalb: Sa orë në ditë i kalon para pianos?

Besa Sali: Unë nuk kam një orar të caktuar. Ndonjëherë jam në piano më shumë, ndonjëherë më pak. Ka periudha kur zgjohem në mëngjes në 7 dhe dua t’i bie pianos. Nëna ime çdo herë më thotë “mos me zë të lartë se është herët e fqinjët tanë ende flejnë”. Ka periudha kur pianoja shkon në plan të dytë, ndodh zakonisht në kohë të verës, sepse atëherë kam interes më të madh të luaj me fëmijët tjerë.

Portalb: Je paraqitur para publikut në New York, në garë ndërkombëtare muzikore për të rinj dhe ke fituar vendin e dytë. A kishe emocione para se të dalësh në skenë? Si e qetëson veten kur ke emocione?

Besa Sali: Kisha pak frikë. Nuk di si ta përshkruaj. Është moment i vështirë për ta menaxhuar. E vetmja gjë që më dha qetësi ishte fakti se i kisha në publik njerëzit që i doja. Njëra nga gjërat që bëj për të qetësuar veten është të marr frymë thellë disa herë. Këtë e praktikoj edhe në situatat tjera kur ballafaqohem me emocione të mëdha. Nuk i mbylli sytë sepse e humbi koncentrimin e notave. Gishtat e mi janë të mësuar në kompozicionin që e kam përgatitur, ato vetë e luajnë pjesën. Nëse mundohem t’i kujtoj notat apo fletët atëherë e gaboj pjesën.

recital, piano, besa, teuta
Besa dhe mësuesja e saj e pianos, Teuta Halimi Selmani, në recitalin e IYMC

Portalb: Si reaguan mami dhe mësuesja jote?

Besa Sali: Interesant. Më dhanë kurajo me duartrokitje. Kur u ula te karrigia më dërguan kurajo dhe vëzhgova se bënin inçizime dhe foto.

Portalb: Cila vepër deri tani ka qenë më e vështirë për ta mësuar dhe cila vepër të duket shumë e vështirë por ke dëshirë një ditë ta mësosh?

Besa Sali: Deri tani nuk kam pasur vepra të vështira, ato i zgjedhim bashkë me mësuesen. Ka shumë vepra që dua t’i mësoj. Si për shembull: Für Elise dhe Piano Sonata No.14 nga Ludwig van Beethoven. Mësuesja më thotë që ende është herët për këto dy vepra, dhe janë të vështira për moshën time. Me herët ajo e përgatiti një version të këngës Für Elise, i rrash asaj, por nuk ishte e plota, dua që në periudhën e ardhshme t’i mësoj këto dy vepra.

Portalb: Kemi parë se kur luan në piano ndonjëherë edhe improvizon. A mendon në të ardhmen të shkruash vepra muzikore?

Besa Sali: Ndonjëherë. Kam inspirim dhe dua të eksperimentoj… Nuk jam e sigurtë, ndoshta do t’i bëj, por për momentin nuk kam plan t’i publikoj. Unë ende mësoj muzikën dhe detajet dhe për momentin nuk ndihem e gatshme. Nuk mendoj se do të merrem shumë me këtë punë deri sa të filloj studimet. Ndoshta në të ardhmen do të mundem të komponoj një muzikë që më pëlqen mua.

Portalb: A do të vazhdosh edhe më tej si pianiste?

Besa Sali: Unë do të vazhdoj me piano se atë e kam më qejf. Në shkollë, shkoj në shkollë të muzikës, mësoja solfezh dhe violinë po tani dua ta provoj kitarën. Me mësuesen kam provuar edhe të këndoj. Ajo më ka inçizuar dhe më ka paraqitur në gara në Poloni. Fitova vendin e parë. Po nuk dua më ta vazhdoj këndimin, instrumentet janë më interesant. Dua të provoj gjithçka që më pëlqen, që jam kureshtare.