Si fjalimi i fitores i Zohran Mamdanit në New York të kujton fjalimin e Jawaharlal Nehru-së në vitin 1947

“Në histori rrallë herë vjen një moment kur dalim nga e vjetra drejt të resë. Kur mbaron një epokë dhe shpirti i një kombi gjen shprehje. Sonte po dalim nga e vjetra drejt të resë”, tha Zohran Mamdani para turmës së qytetarëve në New York, duke e cituar fjalimin e mesnatës të kryeministrit të parë të Indisë, Jawaharlal Nehru nga viti 1947, viti kur vendi u zgjua në liri. Në këtë fitore ndihej jehona dhe fryma e kryeministrit të parë të vendit, raporton “New York Times”.

E përderisa Mamdani po përfundonte fjalimin e tij të fitores, jehoi kënga nga hiti i Bollywood-it të vitit 2004 “Doom”, e shoqëruar nga hiti i madh i Jay-Z dhe Alicia Keys “Empire State of Mind”, i cili po pulson me një kuptim të ri tani që kryetari i New York-ut me prejardhje induse bëri histori. Disa muaj më parë gjuhën dhe fontin Bollywood-ian gjatë gjithë fushatës së tij Mamdani  e ktheu në një shenjë dhe simbol të rrënjëve të tij nga Azia Jugore – nëna e tij është regjisorja Mira Nair, ndërsa babai i tij, Mahmud Mamdani, shkencëtar i lindur në Ugandë me prejardhje induse.

Shtatëdhjetë e shtatë vjet më parë, Nehru në sallën e nxehtë të Asamblesë Kushtetuese në Delhi e filloi fjalimin e tij në të njëjtën mënyrë si që bëri Mamdani tani me një nga hyrjet më emocionuese në histori: “Shumë vite më parë patëm një takim me fatin dhe tani po vjen koha kur do ta përmbushim zotimin tonë, jo plotësisht ose në masë të plotë, por shumë qenësisht.”

Ishte pak para mesnatës së 15 gushtit të vitit 1947, India ishte në prag të pavarësisë pas gati dy shekujsh sundimi britanik. Fjalët mbartnin një ndjenjë eksitimi dhe serioziteti – një premtim për  përgjegjësi dhe për një komb që po gjen zërin e tij. Shumë njerëz besojnë se Mamdani e përshëndeti fjalimin e Nehru-së me premtimin se në New York ka filluar diçka e re, e paprovuar dhe potencialisht transformuese.

Dekada më parë në një moment tjetër zgjimi Nehru kishte evokuar diçka shumë më të madhe – rilindjen e një kombi.

“Liria, jo si një fund, por si një fillim – jo si një lehtësim apo pushim, por si një luftë e pandërprerë. T’i shërbeje Indisë do të thoshte t’u shërbeje miliona njerëzve që vuajnë dhe t’i jepje fund varfërisë, injorancës, sëmundjeve dhe pabarazisë së mundësive”, ka deklaruar ai.

Fjalimi prej rreth 1.600 fjalësh i kryeministrit të parë të Indisë është një nga fjalimet më të famshme në histori.

Sipas “New York Times” Nehru “i elektrizoi bashkatdhetarët e tij me një fjalim me elokuencë të lartë”. Historiani Ramachandra Guha fjalimin e cilësoi “të pasur me emocione dhe retorikë”. Historiani Srinath Raghavan në një intervistë tha se “fjalimi ende gjen jehonë në Indi sepse vërtet kap momentin në një mënyrë që mund ta bëjnë fjalimet e mëdha “.

Atë mbrëmje ka pasur tre folës kryesorë: Chaudhary Halikuz-Zaman, Dr. Sarvepalli Radhakrishnan – filozof, dhe Nehru – ylli i mbrëmjes. Përgatitja për fjalimin e Nehru-së ka qenë emocionuese. Revista “Time” ka publikuar se udhëheqësit në Indi janë mbledhur në sallën e Asamblesë Kushtetuese një orë para mesnate. Salla “ka shkëlqyer me ngjyrat e flamurit të ri trengjyrësh të Indisë – portokalli, e bardhë dhe e gjelbër”. Nehru ka mbajtur atë që revista e quajti “një fjalim frymëzues”.

Deri më atë kohë Nehru kishte fituar reputacion si një orator i improvizuar, që mban fjalime të improvizuara që lëviznin lehtësisht nëpër politikë, shkencë, art dhe etikë. Siç theksoi diplomati australian Walter Crocker, gjerësia dhe spontaniteti i fjalimeve të tij ishin “pa kthesa”.

Kur e përfundoi fjalimin e tij më të famshëm në gusht të vitit 1947 Nehru tha: “Na pret një punë e madhe. Askush prej nesh nuk mund të pushojë derisa ta kemi përmbushur plotësisht premtimin tonë, derisa t’i kemi bërë të gjithë njerëzit e Indisë ashtu siç ka dashur fati i tyre që të jenë.”

Shtatë dekada më vonë, në New York, Mamdanin e pret një punë shumë më ndryshe.