“Shtëpia e Zotit”, bashkëprodhim mes Teatrit Shqiptar të Shkupit, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës

Më datë 29 dhe 30 maj, në orën 20:00 vjen shfaqja e cila do të jepet si premierë në Shkup, pas dakordësisë mes teatrove shqiptare që shfaqja të ketë tri premiera në tri teatrot e kryeqyteteve. E gjithë kjo në kuadër të festivalit mbarëkombëtar ‘’Moisiu’’, njofton Portalb.mk.

Shfaqjen ‘’Shtëpia e Zotit ‘’ e ka vënë në skenë regjisori Ilir Bokshi dhe premierën e kishte në natën përmbyllëse të festivalit ‘’Moisiu’’ që u mbajt në Tiranë. Vepra teatrore “Shtëpia e Zotit”, një tragjikomedi nga Ledian Gjeçi i zhvillon ngjarjet në Shqipëri në një shtëpi ku kultivohet hashashi.

Në veprën “Shtëpia e Zotit” i gjithë grupi i shtëpisë së barit përfshihet në një festë të pazakontë dhe nën mungesën e vigjilencës së tyre, hyjnë fshehtas hajdutët të ndihmuar nga një anëtar i shtëpisë, që të vjedhin ‘’mallin’’ e gatshëm për shitje. Një anëtar tjetër i shtëpisë, përballet aksidentalisht me hajdutët, dhe i shokuar nga e papritura konfrontohet me ta, të cilët e qëllojnë me armë dhe largohen duke mos e realizuar vjedhjen e planifikuar.

Kjo ngjarje pasohet me kaos te grupi i shtëpisë së barit, dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, nën praninë e një rreziku alarmant, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt ku të vendosen bimët e hashashit. Dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush. Një vend i përsosur për të jetuar, e për të vdekur. Vend i cili do jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që pasojnë…

Në role janë Bujar Ahmeti, Krist Lleshi, Shkëlzen Veseli, Ledion Zoi, Ligoraq Riza, Rafael Hoxhaj, Elia Zaharia, Abedin Alimi, Donald Shehu, Luli Bitri, Genti Deçka, Gentiana Ramadani dhe Beslidhje Bytyçi.

Koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi.

Shfaqja nuk është e përshtatshme për publikun nën 16 vjeç! Biletat i siguroni në sportelin para teatrit.