Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për shkarkime masive nëse Kongresi nuk miraton legjislacionin për financimin e qeverisë

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar të mërkurën agjencive federale të përgatisin plane për shkarkime masive të punonjësve në rast se Kongresi nuk arrin të miratojë legjislacionin për financimin e qeverisë deri më 1 tetor, transmeton Euronews.

Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) e Shtëpisë së Bardhë ka dërguar një memorandum të posaçëm, ku u kërkohet agjencive të identifikojnë programet dhe aktivitetet që do të ndalohen për shkak të mungesës së fondeve diskrecionare. Sipas OMB, “programet që nuk kanë përfituar fonde të detyrueshme do të mbajnë barrën më të madhe të mbylljes”.

Ky paralajmërim për shkarkime të përhershme, dhe jo vetëm pushime të përkohshme nga puna siç ka ndodhur në të kaluarën, përbën një ndryshim të madh në menaxhimin e mbylljeve të qeverisë.

Nuk është e qartë nëse kjo lëvizje e administratës është një strategji për të forcuar pozitat negociuese të Presidentit Donald Trump ndaj demokratëve, apo një përpjekje për të avancuar objektivin e tij për të reduktuar fuqinë punëtore federale. Megjithatë, kritikat nuk kanë munguar.

“Ky është një përpjekje për frikësim,” deklaroi udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, të mërkurën në mbrëmje. “Donald Trump ka shkarkuar punonjës federalë që në ditën e parë — jo për të qeverisur, por për të frikësuar.”

Tensionet u përshkallëzuan të martën, kur Presidenti Trump anuloi një takim të planifikuar me udhëheqësit kryesorë demokratë për të diskutuar mbi buxhetin. Kjo lëvizje ka rritur rrezikun për një mbyllje të pjesshme të qeverisë, ndërsa republikanët dhe demokratët vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për bllokimin e negociatave.