Shqipëria, perla e panjohur e Ballkanit, sipas artikullit të francezes “L’Alsace”

Edhe gazeta franceze L’Alsace, e quan Shqipërinë perlën e panjohur të Ballkanit, duke zbuluar për lexuesit e saj disa nga vendet më të bukura, ku lista nis me Ksamilin, raporton Klan.

Shqipëria befason me bukurinë e plazheve të saj, me rërë të pastër dhe ujë të kristaltë. Mes tyre edhe Ksamili në jug të vendit është plot me vende të shkëlqyera të cilat nuk kanë përse t’ia kenë aspak zili Greqisë fqinje”, shkruhet në artikull.

Një destinacion ekonomik, origjinal dhe mikpritës, këto janë disa nga veçoritë që media franceze identifikon për të gjithë ata që nuk e njohin Shqipërinë.

L’Alsace ndalet edhe te peizazhet madhështore të Apleve, duke treguar që në Shqipëri i gjen të gjitha, duke ndarë imazhe edhe nga Thethi e Liqeni i Komanit.

Por një hapësirë e zë edhe trashëgimia kulturore, që identifikohet me qytet UNESCO të Beratit dhe Gjirokastrës, dhe sitin më të njohur arkeologjik Butrintin.

Zbulon edhe Tiranën, që sipas prestigjiozes është në ringjallje të plotë dhe është një qytet që ka gjurmë të së shkuarës komuniste. Ndër vendet që ajo i sugjeron lexuesve është Piramida, Pazari i ri dhe sigurisht sheshi kryesor.

Jehona e mediave të huaja për Shqipërinë ka pasur ndikim mjaft të madh edhe në bumin turistik që i drejtohen vendit tonë gjatë muajve të fundit.

Ky artikull që zbulon Shqipërinë nuk ka kaluar pa vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale.