RMV, u tejkalua problemi me kartelat bankare: Qytetarët mund të tërheqin para nga bankomatet

Asociacioni Bankar i Maqedonisë e njofton opinionin se është tejkaluar problemi lidhur me kartelat VISA dhe Mastercard. Ndërkohë Banka Popullore siguroi qytetarët që parat e tyre janë të sigurta, njofton Portalb.mk.

“Njoftojnë qytetarët se pamundësia për qasje në disa shërbime të kartelave është e lidhur me sistemin e kartelave “visa” dhe “mastercard”. Deri në zgjidhjen e problemeve, qytetarët mund të kryenin shërbimet bankare në ekspozitura ose filiale të bankave”, sqarojnë nga Banka Popullore e RMV-së.

Ata theksojnë që “mjetet financiare të qytetarëve në banka janë të sigurta dhe në çdo moment të qasshme”.

Gjatë ditës së sotme, Asociacioni Bankar i Maqedonisë informoi se një pjesë e shërbimeve lidhur me brendet e kartelave VISA dhe MasterCard janë të paqasshme në bankomat ose tregti dhe se mjetet e klientëve të bankave janë të qasshme në të gjitha ekspoziturat dhe filialet.

Sipas tyre, nga analizat e deritanishme mund të thuhet se arsyeja për problemin nuk është e lidhur me telekom-operatorët, as me sistemet individuale bankare.

Disa prej bankave në vend kanë njoftuar për problemet teknike dhe theksojnë se po punohet në zgjidhjen. Ndërkaq, i udhëzojnë qytetarët që nëse kanë nevojë për tërheqje të parave të drejtohen në filiale.

Portalb.mk vizitoi një filial ku bankomati nuk punonte dhe qytetarët prisnin në radhë të filialit të bankës për të tërhequr para.