Shqipëria filloi bisedimet qasëse në Bashkimin Evropian, po hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”

Konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbahet sot në Luksemburg, ku do të hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim, transmeton Top Channel.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.

Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga zyra e Kryeministrisë. Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në bashkimin europian në prill të vitit 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidati në qershor 2014 ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare është mbajtur në korrik të vitit 2022. Në këtë proces Shqipëria u nis së bashku me Maqedoninë e Veriut, e cila mbahej peng nga mosmarrëveshjet me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit. Pas zgjidhjes së këtij problemi, Maqedonisë së Veriut i lindi një tjetër problem me Bullgarinë, dhe nuk mund të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.

Hapja e grup kapitullit të negociatave Shqipërisë, Begaj: Mbush me shpresë çdo shqiptar në realizimin e ëndrrës së kahershme

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përshëndeti hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Presidenti Begaj vlerëson së ky është një lajm i mirë për shqiptarët në përmbushje të aspiratës për të qenë pjesë e bllokut evropian.

Në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, shkruan:

“Lajmi që Shqipëria hap kapitullin e reformave themelore të negociatave për anëtarësim të plotë në BE mbush me shpresë çdo shqiptar në realizimin e ëndrrës së kahershme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Tani ne kemi në dorë ritmin e këtij rrugëtimi. Jam shpresëplotë për progresin dhe suksesin!”, shkruan Begaj.

Negociatat për grup-kapitullin e parë me BE-në, Varhelyi: Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara me vendosmëri

Komisioneri për për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi përgëzoi Shqipërinë për reformat të cilat çuan në hapjen e kapitujve të parë.

Sot përgëzojmë vendosmërinë dhe punën e përkushtuar të Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara, ne jemi në gjendje të hapim Klasterin e Parë – Bazat që na lejojnë të vazhdojmë me grupe të tjera”- shkruan Varhelyi në rrjetin X.