Shkup, u mbajt marsh përkujtimor për përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Në organizim të Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNS), në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është mbajtur një marsh përkujtimor për të shënuar përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu.

Në marsh i pranishëm ishte edhe ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, si dhe deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qytetarë të shumtë.

Marshi filloi nga parku i Çairit dhe duke kaluar përmes Çarshisë së Shkupit përfundoi në Sheshin “Maqedonia”.

Aty, të pranishmit nderuan viktimat e gjenocidit me një minutë heshtje dhe lutje, ndërsa të pranishmëve iu drejtua Xhevat Hot, kryetari i BNS-së. Ai përshëndeti faktin që Maqedonia e Veriut i është bashkangjitur Rezolutës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

“Gjenocidi në Srebrenicë, si çdo gjenocid tjetër në histori, ka urdhërdhënësit e tij, ka emrat e zbatuesve. Përgjegjësia e tyre është individuale, nuk është kolektive. I dimë me emër dhe mbiemër kush ka dhënë urdhra, i dimë me emër dhe mbiemër kush e ka kryer këtë vepër”, tha kreu i BNS-së, duke shtuar se çdo mohim i gjenocidit, relativizim apo heshtje, “hap plagët dhe mbyll dyert e pajtimit dhe bashkëpunimit”.

Para të pranishmëve foli edhe Mensur Bektiq, ideatori i Lules së Srebrenicës, që është shndërruar në simbol të përkujtimit të gjenocidit.

Bektiq rikujtoi se 8.372 viktimat e gjenocidit dhe të gjithë banorët e zonës ishin të strehuar në atë që u shpall “Zonë e Mbrojtur” e OKB-së.

“Atyre njerëzve, Kombet e Bashkuara ua pati premtuar të drejtën e jetës, ndërsa e drejta e jetës është një nga të drejtat themelore njerëzore. Ata njerëz u lanë në duart e xhelatëve që t’i vrasin pa mëshirë vetëm për shkak se ishin të një përkatësie tjetër fetare, kombëtare dhe për shkak se nuk ishin anëtarë të korpusit të tyre”, tha Bektiq.

Ai bëri thirrje që të mos harrohet gjenocidi në Srebrenicë, duke u shprehur se një komb që harron dhe nuk u mëson fëmijëve që në Bosnje e Hercegovinë është kryer gjenocid, është i dënuar të përjetojë përsëri gjenocid të tillë.

Gjatë tubimit, në një video u shfaq rrëfimi i një të mbijetuare të gjenocidit, ndërsa para të pranishmëve u shfaq edhe një ekspozitë me fotografi që kishin për motiv gjenocidin.

Nga ana tjetër, gjenocidi në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës u përkujtua edhe në Kuvendin i Maqedonisë së Veriut.

Kryeparlamentari Afrim Gashi theksoi se gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave.

Ai tha se kjo ngjarje e tmerrshme kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.