Shkenca qytetare (II)

Ky lloj shkence apo angazhim publik që perceptohet edhe si shërim për pabarazitë (remedy for inequalities) (Lewenstein, 2022)  iu mundëson pjesëmarrësve të ndërtojnë raporte të kuptimta me shkencën, i bën ata sigurues të informacioneve që iu mundësojnë shkencëtarëve t’iu përgjigjen pyetjeve të botës reale.

Në kontekstin gjitheuropian funksionon ECSA (European Citizen Science Association) që ka 10 parimet e veta: Qytetarët mund të jenë kontribues në çalltisje shkencore, të bashkëpunojnë, apo të udhëheqin, duke marrë rol aktiv në projekte shkencore që gjenerojnë dije dhe kuptim të ri. Projektet e fokusuara në shkencën me qytetarët kanë rezultate apo impakt të mirëfilltë shkencor. Shkencëtarët, dhe qytetarët e angazhuar në projekte të kësaj natyre përfitojnë nga pjesëmarrja në projekt. Nëse dëshirojnë, mund të angazhohen në të gjitha fazat e procesit shkencor. Ata marrin komente e sugjerime nga projekti. Shkenca me qytetarët konsiderohet qasje shkencore, sikurse çdo formë tjetër e kërkimit shkencor, me kufizimet dhe anësitë e mundshme, të cilat duhet gjithmonë të konsiderohen e të mbahen nën kontroll. Të dhënat dhe metadatat e prodhuara në projektin shkencor të realizuar me qytetarët, janë të aksesueshme për të gjithë publikun, mund të botohen në burime e platfroma të hapura. Qytetarët e përfshirë në këto projekte marrin kreditet përkatëse për rezultatet e projektit si dhe në publikimet përkatëse. Programet e shkencës qytetare vlerësohen për produktin e tyre shkencor, cilësinë e të dhënave, eksperiencën e qytetarëve pjesëmarrës dhe impaktin e gjerë shoqëror dhe në politika. Në këtë drejtim merren konsideratë edhe çështjet ligjore dhe etike (pronësia intelektuale, të drejtat e autorit, marrëveshjet në shkëmbimin e të dhënave, konfidencialiteti, njohjen e kontributit, dhe ndikimi mjedisor). (ECSA, 2015, në zenodo.org)

Një platformë e shkencës qytetare është “EU.CitizienScience” që si një rrjet i rrjeteve (network of networks) lidh të gjitha projektet e shkencës qytetare në Europë. Komisioni Europian lançon projektin “Ndryshimi i bisedimit rreth shkencës nëpërmjet komunikimit qytetar”, që ngërthen iniciativat për të ndihmuar projektet e shkencës qytetare dhe që ua hap rrugën njerëzve të zakonshëm që të shndërrohen në komunikues shkencorë efektivë dhe të besueshëm.

Në Maqedoninë e Veriut janë dy platforma  të kësaj sfere, “Eko-Svest” (Eko-Vetëdija) dhe “Natura.mk”, që përmes aplikacionit INaturalist bëjnë mapinin e llojeve bimore, mbrojtjen e pyjeve dhe drurëve (ahu, gështenja dhe lisi) tek Burimet e Vevçanit (financuar nga PONT dhe CEPF). Edhe Parku Nacional “Galiçica” është një nga aplikuesit e kësaj shkence me objektiva si ruajtja e vlerave natyrore dhe kulturore, satsifaksioni dhe arsimimi i vizitorëve.

Në këtë fushatë shkencore telefonat e mençur dhe të mësuarit makinor shfrytëzohet për të mbledhur, shqyrtuar dhe mësuar lidhur me çështje si ndotja përmes plastikave, popullatat e insekteve, cilësia e ajrit, qëndrueshmëria e ushqimit dhe të ngjashme. Nëpër parqe nacionale shumica e këtyre shkencëtarëve mbledhin të dhëna përmes veglave të siguruara nga drejtorët e projektit.

Një analizë e projekteve të shkencës qytetare, që nënkupton peer research, kërkimin e bërë nga anëtarët e publikut dhe me ndihmën e hulumtuesve profesionalë, për të mirën e qytetarëve, shkencëtarëve dhe komunitetit, tregon se 80% të praktikës kërkimore i kushtohen jetës dhe shkencave natyrore, kurse vetëm 11% shkencave sociale dhe humanitare (Hecker et al., 2018) Por sot, shkenca qytetare nga disiplinat natyrore dhe mjedisore dita ditës po kalon edhe në ato shoqërore (shkenca qytetare sociale, ang. Citizen Social Science), ku anëtarët e publikut marrin pjesë në investigimin dhe analizmin e dukurive sociale, një metodë kjo në fuqizim e sipër në veçanti në adresimin e çështjeve lokale. (Albert, 2021)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.