Mbi 400 zjarre për 6 muaj në Tetovë dhe rrethinë, autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar
Në gjysmën e parë të vitit 2025 në Tetovë dhe rrethinë ka pasur 409 zjarre, shumica prej të cilave në hapsira të hapura. Sipas autoriteteve, faktori njeri mbetet shkaktari kryesor, ndërsa apelojnë për kujdes sidomos tani gjatë temperaturave të larta, raporton Poralb.mk.
Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmeti thotë se zjarre janë paraqitur edhe brenda territorit të mbrojtur të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” ku kanë intervenuar.
“Dihet se faktori njeri është xixa e parë e zjarreve të përmasave të mëdha. Kështu që apelet e zjarrfikësve si zakonisht janë që të ruhet natyra, për shkak se ajo është e jona dhe duhet të kujdesemi më shumë”, tha Avni Ameti.
Njësia e Zjarrfikësve të Tetovës së fundmi ka hapur edhe njësinë e zjarrfikësve vullnetarë, ku qytetarët mund të bëhen pjesë e saj.
Nga ana tjetër, drejtori i Parkut Kombëtar “Malit Sharr” Evzal Elmati theksoi se janë të përgatitur për ndërhyrje emergjente, pavarësisht kapaciteteve të limituara të personelit.
“Kemi një plan vjetor operativ për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, posedojmë një automjet special me rezervuar dhe pompë për shuarje të zjarreve, kemi bërë edhe trajnimin e punonjësve për shuarjen e zjarreve, si dhe për ndërhyrje në raste emergjente”, theksoi Evzal Elmazi.
Ai rikujtoi se të gjithë vizitorët që futen në zonën e parkut, me ligj janë të detyruar të regjistrohen, ndërkaq çdo hyrje paguhet 150 denarë për automjet.
Mungesa e zjarrfikësve vazhdon të mbetet problem për të gjithë vendin. Nga Shoqata e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale kanë alarmuar se RMV-së i mungojnë rreth 400 zjarrfikës.
Ndryshe, duke filluar nga 1 korriku, do të ndalohet lëvizja nëpër pyjet e Maqedonisë së Veriut, kjo ndalesë do të jetë në fuqi të paktën deri në fund të gushtit.
Viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e programit të Kopernikut,
Madje, në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.