SHGM akuzon se vetëm MIA u ftua të filmonte në një ngjarje, Ministria e Shëndetësisë: S’është e vërtetë
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, duke e akuzuar për sjellje arbitrare dhe joprofesionale ndaj mediave. SHGM thotë se gjatë një vizite në Klinikën për Pulmologji dhe Alergologji u lejua vetëm agjencia MIA të filmonte, ndërsa mediat e tjera u përjashtuan, gjë që krijon përshtypjen e diskriminimit dhe mungesës së transparencës. Shoqata thekson se institucionet publike janë të detyruara të sigurojnë qasje të barabartë në informacione me interes publik. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk është organizuar ndonjë ngjarje zyrtare dhe se informacioni është dhënë me kërkesë të mediumit. Ministria thotë se mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha mediat, transmeton Portalb.mk.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësim për sjelljen arbitrare dhe joprofesionale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe shërbimeve të marrëdhënieve me publikun, të cilat sot nuk lejuan praninë zyrtare të mediave gjatë një vizite në Klinikën për Pulmologji dhe Alergologji. Në fakt, pas disa kërkesave nga gazetarë që raportojnë në fushën e shëndetësisë dhe të cilët i janë drejtuar SHGM-së për këtë çështje në disa raste, sot u ftua vetëm agjencia MIA për të filmuar klinikën, ndërsa pjesa tjetër e mediave nuk u ftua zyrtarisht. Kjo tregon qartë një kufizim të qasjes në ngjarje me interes publik, krijon përshtypjen e diskriminimit dhe ngre dyshime për mundësinë e fshehjes së informacionit. SHGM u kujton autoriteteve se mediat kanë të drejtë të raportojnë për të gjitha ngjarjet me interes publik pa diskriminim, dhe institucionet janë të detyruara të sigurojnë transparencë dhe qasje të barabartë në informacion për të gjithë gazetarët. Kjo situatë është veçanërisht serioze në kontekstin e konflikteve të mëparshme dhe mosdisponueshmërisë së informacionit nga kabineti i Ministrit të Shëndetësisë”, thonë nga SHGM.
SHGM bën thirrje për një rishikim urgjent të praktikave të Ministrisë së Shëndetësisë, duke mundësuar qasje për të gjitha mediat në informacione me interes publik dhe duke respektuar standardet profesionale në komunikimin me gazetarët.