ShBA-ja ofron mbështetje të fuqishme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, Osmani bisedë me Blinkenin dhe Chollet

Ministri Bujar Osmani në margjinat e takimit ministror të NATO-s në Bruksel bisedoi me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antoni Blinken dhe Këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Shole. Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi dhe aktivitetet në kuadër të Dialogut Strategjik, aktualitetet rajonale, mbështetja e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe situata politike në vend, transmeton Portalb.mk.

Shole dhe Blinken shprehën mbështetje të fuqishme për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, që është interes i përbashkët strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara dhe investim në stabilitetin rajonal në përgjithësi.

Ministri Osmani vazhdon sot ditën e dytë në NATO, në takimin e ministrave të jashtëm, Bruksel, ku do ketë takime edhe me homologë.

Përndryshe, Maqedonia e Veriut është një nga vendet e para të Ballkanit Perëndimor, që nisi dialogun strategjik me SHBA-të, me anë të të cilit synohet të forcohet edhe më shumë partneriteti mes dy vendeve dhe ofrimi i kornizave konkrete për ndihmë dhe bashkëpunim dypalësh.