Dialogu Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së filloi me panelin kushtuar iniciativave rajonale

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, hapën Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili po mbahet sot në Ambientet e Departamentit të Shtetit në Uashington.

“Dialogu Strategjik me SHBA-të paraqet kapitull të ri në marrëdhëniet tona të ndërsjella, i cili do ta avancojë partneritetin tonë strategjik dhe do të vendosë kornizë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. “Ndjehemi veçanërisht krenarë që Maqedonia e Veriut është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që e ruan këtë proces të rëndësishëm, i cili paraqet njohje edhe për rolin tonë rajonal dhe sinjal të qartë të miqësisë dhe aleancës së fortë mes dy vendeve”- theksoi Osmani.

Pas hapjes zyrtare, vijoi sesioni kushtuar iniciativave rajonale, që u kryesua nga ana e Ministrit Osmani dhe ndihmëssekretarja e shtetit Karen Donfried. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e iniciativave rajonale për proceset reformuese si veçanërisht të rëndësishme për perspektivat e integrimit evropian, pajtimin dhe stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Osmani e theksoi pjesëmarrjen aktive të Maqedonisë së Veriut në një sërë iniciativash rajonale, përfshirë këtu Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur, Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal etj. Njëherazi, ai e përshëndeti rolin e tyre në fushën e integrimit ekonomik dhe prosperitetit rajonal, duke theksuar se të njëjtat nuk janë zëvendësim për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por i mbështesin dhe i përshpejtojnë proceset e tyre eurointegruese.

“Maqedonia e Veriut, si iniciatore e I8 dhe B6, është vend lider me iniciativa rajonale me vizion për përshpejtimin e proceseve reformuese, forcimin e integrimit ekonomik dhe përshpejtimin e proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qasja e këtillë është veçanërisht e rëndësishme për tejkalimin e dallimeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe integrimin e tyre sa më shpejtë në BE. “Ne veçanërisht i jemi mirënjohës ShBA-së për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe të pahamendshme të përpjekjeve tona në këtë drejtim”- theksoi Osmani.

Iniciativa tetë (I8) paraqet platformë rajonale, të iniciuar nga Maqedonia e Veriut, për bashkëpunim trilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Qëllimi i nismës është forcimi bashkëpunimin politik ndërmjet vendeve përgjatë Korridorit Pan-Evropian 8, ose të ashtuquajturin aks ballkanik lindje-perëndim, që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke inkurajuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, energjisë, turizmit, kulturës dhe të ngjashme. Nga ana tjetër, iniciativa B6 parqet platformë joformale për bashkëpunim politik të Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, të iniciuar vitin e kaluar nga ministri Osmani, qëllimi i së cilës është të nxisë komunikimin e ndërsjellë ndërmjet liderëve të diplomacisë në vendet e rajonit, ngjashëm me bashkëpunimin rajonal tashmë të krijuar në Evropë, si V4 (Vishegrad) ose iniciativa e vendeve të Evropës Qendrore C5.

Në sesion u bë fjalë edhe për situatën aktuale të sigurisë, me çka u shpreh dënimi i përbashkët i agresionit ushtarak rus, si dhe u shpreh mbështetje për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Gjithashtu, u përshëndetën të arriturat e Maqedonisë së Veriut në kuadër të proceseve eurointegruese dhe u dërgua mesazh për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për aderim në BE.

Kryesimi ynë me OSBE-në në vitin 2023 ishte gjithashtu në krye të agjendës, që u përshëndet dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe, delegacioni i Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në përbërje të të cilit janë ministrat e mbrojtjes Slavjanka Petrovska, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska. Në mënyrë shtesë, përmes video-lidhjes, në Dialogun strategjik do të kyçet edhe zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë Slavica Gërkovska. Nikoqir zyrtar nga pala amerikane do të jetë ndihmës sekretarja e Shtetit Karen Donfrid, e cila së fundmi vizitoi Maqedoninë e Veriut.

Pas Dialogut strategjik pritet të dalë një deklaratë e përbashkët mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, e cila do të rikonfirmojë përpjekjet e përbashkëta për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në Uashington, anëtarët e delegacionit qeveritar janë paraparë të zhvillojnë disa takime bilaterale, ndërsa siç është paralajmëruar, Osmani do të ketë takime bilaterale me zyrtarë të lartë amerikanë, si dhe figura të njohura të shoqërisë civile dhe grupeve të ekspertëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button