SH.A. MEPSO do të shkojë në arbitrazh me kompaninë boshnjake “Energoinvest” për (mos)ndërtimin e largpërçuesit drejt Shqipërisë
Operatori shtetëror i sistemit elektrotransmetues, SH.A. MEPSO, do të hyjë në një betejë arbitrazhi me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, pasi në procedurën para-arbitrazhit të zhvilluar para DAB-it (Dispute Adjudication Board) u vendos se kompania nga Maqedonia duhet t’i paguajë kontraktorit 6 milionë euro për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratës për ndërtimin e largpërçuesit 400 kilovatësh nga Manastiri deri në kufirin maqedono-shqiptar, informoi në një brifing drejtori i përgjithshëm i SH.A. MEPSO, Burim Latifi, shkruan 360 shkallë, transmeton Portalb.mk.
Ai tha se do të vazhdojnë me kërkesë prej 19 milionë eurosh sepse kontraktori i mëparshëm, “Energoinvest”, në afatin e parashikuar për ndërtimin e projektit ka ndërtuar vetëm 24 themele nga 269 shtyllat e planifikuara, gjë që paraqet vetëm 4,4 përqind të punimeve të përgjithshme.
Duke folur për vendimin e DAB-it Latifi tha se argumentet e SH.A. MEPSO u hodhën poshtë, por se menjëherë pas vendimit në favor të “Energoinvest” u dorëzua nota e mosdakordimit. Udhëheqësia e MEPSO me ndihmën e analizave të kryera të kontratës ka konstatuar gabime fundamentale në procedurën e para-arbitrazhit.
“Ne ishim midis dy pozicioneve. Nga njëra anë, për këtë situatë u konsultuam me Entin Shtetëror të Revizionit. Kërkesa prej 7,7 milionë eurosh, kjo është 45% e vlerës së kontratës. Pra, kjo është një rritje prej 45% e vlerës së kontratës. Edhe ne po përballemi me këtë dhe më duhet të përmend se që nga viti 2015 deri më tani, vetëm për kamatat e paguara humbasim pothuajse një milion euro, paguajmë deri në një milion euro të tjera. Dhe tani kemi një situatë ku kemi një vendim të DAB-it që i ka hedhur poshtë të gjitha argumentet tona dhe i ka pranuar të gjitha argumentet e tyre”, tha drejtori i përgjithshëm i SH.A. MEPSO.
Duke folur për kronologjinë e ngjarjeve Latifi tha se kontrata me “Energoinvest” nga Sarajeva është nënshkruar në vitin 2020 si një “lump sum” (me çelës në dorë), që sipas ligjeve e përfshin vlerën e të gjitha punëve të paparashikuara dhe rreptësisht e përjashton mundësinë e ndryshimit të çmimeve. Në dhjetor të vitit 2022 “Energoinvest” u largua në mënyrë të njëanshme nga vendi i ndërtimit pasi kishte ndërtuar vetëm 24 themele nga 269 shtyllat e dakorduara, duke e kushtëzuar vazhdimin e punimeve me një ndryshim të çmimit.
Në mars të vitit 2023 udhëheqësia e mëparshme e SH.A. MEPSO ju ofron atyre një aneks-kontratë me vlerë prej 2,8 milionë euro, të cilën “Energoinvest” e pranon verbalisht, por më pas e refuzon me shkrim. Dy muaj më vonë kompania nga Maqedonia sërish ka ofruar një aneks-kontratë, këtë herë me vlerë prej 4,5 milionë euro, që u refuzua nga kontraktori i cili kërkoi 7,7 milionë euro shtesë, që paraqet 45 përqind të vlerës së kontratës themelore. Këshilli i atëhershëm Drejtues i SH.A. MEPSO merr vendim për ndërprerjen e kontratës për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve, por Këshilli Mbikëqyrës sërish e ndalon vendimin jashtë autorizimeve të tij dhe i jep kontraktorit edhe një shans, edhe pse në terren nuk pati punime.
Pas ndryshimit të udhëheqësisë së SH.A. MEPSO dhe pas një analize të detajuar forenzike dhe konsultimeve me kreditorin e projektit BERZH, udhëheqësia aktuale zyrtarisht e ndërpret kontratën. Sipas informacioneve “Energoinvest” nuk kishte operativën e vetë në vend, por mbështetej te kontraktorët nga Rajoni Strugë-Ohër të cilët nuk kanë pasur përvojë në ndërtimin e infrastrukturës elektroenergjetike.
“Braktisja e vendit të ndërtimit ose ndërprerja e punimeve ndërtimore ose qëllimi i shprehur qartë në mënyrë tjetër për të mos vazhduar me përmbushjen e detyrimeve është bazë për ndërprerjen e kontratës nga MEPSO. Në këtë kontekst nga korrespondenca e MEPSO-s, sidomos asaj që është rezultat i inspektimit në terren ose raporteve dhe planeve afatshkurtra të dorëzuara nga “Energoinvest”, mund të konfirmohet si braktisje e vendit të ndërtimit, ndërprerje e punimeve ndërtimore, ndërsa deklarata e dhënë nga Drejtori i përgjithshëm i “Energoinvest” e inkorporuar në procesverbalin e takimit të mbajtur midis Këshilleve Drejtuese të dy palëve kontraktuese në muajin mars të vitit 2024 është një qëllim i shprehur qartë nga “Energoinvest” për të mos vazhduar me përmbushjen e detyrimeve”, thotë Latifi.
Deri sa po përgatitet terreni për arbitrazh vitin e kaluar në një tender të ri ndërkombëtar ndërtimi iu nda një konzorciumi të udhëhequr nga kompania kroate “Dalekovod” – Zagreb. Kontrata e re ka vlerë prej 19,3 milionë euro, ndërsa pjesë e konsorciumit janë edhe kompanitë “Kodar Energomontazha” nga Beogradi, Serbi, dhe kompania “Elnos” me seli në Banja Luka, Republika Serpska. Opozita akuzon se pas tyre qëndrojnë njerëz të afërt me Aleksandar Vuçiqin dhe Mirosllav Dodikun. I pyetur për këto akuza Latifi tha se MEPSO është këtu që ta sigurojë përfundimin e projektit, e jo të diktojë se kush do të punojë.
“Ata që akuzojnë ndoshta në kontratën e mëparshme kanë qenë më të interesuar për atë se kush janë nënkontraktorët sesa për përfundimin e projektit. Për ne, ne nuk mund ta diktojmë tregun dhe se cilat janë kompanitë që punojnë. Për ne është e rëndësishme që kjo të bëhet sipas ligjit dhe që projekti të përfundojë në kohë”, tha Latifi.
Fillimi zyrtar me kontraktorin e ri u bë në muajin mars, do të instalohen pajisjet e blera nga kontrata e mëparshme, ndërsa afati i fundit për ndërtimin e kësaj lidhjeje të unazës perëndimore elektroenergjetike është 30 muaj.