BDI akuzoi për skandal tjetër korruptiv në MEPSO, kërkohet hetim për tender prej 236 mijë eurosh, VLEN: BDI gënjen
BDI ka akuzuar sërish drejtuesit e MEPSO-s për, siç thuhet, “skandal të ri korruptiv” që lidhet me një tender për pastrimin e korridoreve nën largpërçues, me vlerë deri në 236 mijë euro. Kjo parti pretendon se kompania “Green Maintenance”, e themeluar vetëm pak javë para shpalljes së tenderit, ka arritur të fitojë kontratën megjithëse, sipas partisë, nuk ka histori pune, kapacitet të dëshmuar apo prani reale në terren, transmeton Portalb.mk.
“Skandali i ri në MEPSO ngre dyshime serioze për një rrjet të organizuar favorizimi partiak dhe familjar si dhe keqpërdorim të parasë publike. Kompania “Green Maintenance” e themeluar vetëm pak javë para shpalljes së tenderit, pa histori pune, pa kapacitet të dëshmuar dhe pa prani reale në terren, arrin të fitojë kontratë me vlerë deri në 236 mijë euro për pastrimin e korridoreve nën largpërçues”, thonë nga BDI.
Sipas akuzave të BDI-së, njëri nga pronarët e kompanisë, Shaban Shefki, paraqitet publikisht si aktivist dhe përkrahës i koalicionit VLEN dhe të Izet Mexhitit. Partia opozitare pretendon gjithashtu se kontrata është nënshkruar nga drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, për të cilin thuhet se është kushëri i parë i Izet Mexhitit.
“Ajo që e bën rastin edhe më skandaloz është fakti se njëri nga pronarët e kompanisë, Shaban Shefki, shfaqet publikisht si aktivist dhe përkrahës i VLEN-it dhe Izet Mexhitit, ndërsa kontratën e nënshkruan drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi kusheriri i parë i Izet Mexhitit i njohur për marrëveshjen kriminale me kompaninë e Banja Llukës që dëmtoi shtetin 6 milion euro”, thotë BDI.
BDI në reagim lidh këtë rast edhe me, siç thuhet, skandalin e mëparshëm që lidhet me largpërçuesin drejt Shqipërisë, për të cilin pretendon se shteti mund të përballet me miliona euro dëm.
“MEPSO tashmë është në qendër të opinionit për skandalin me largpërçuesin drejt Shqipërisë, ku shteti duhet të paguan miliona euro dëm. Ndërkohë që qytetarët përballen me krizë ekonomike dhe çmime të larta, njerëz të afërt me pushtetin hapin kompani brenda natës dhe fitojnë tenderë publikë me qindra mijëra euro”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Partia kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Enti Shtetëror për Revizion dhe Prokuroria që të hapin procedurë dhe të hetojnë nëse pas këtij tenderi qëndron, siç pretendohet, një skemë e organizuar për keqpërdorim të parasë publike.
VLEN nga ana tjetër reagoi duke thënë se BDI gënjen, dhe se ofertën më të lirë e paraqet si korrupsion, “sepse iu ndërprenë kanalet e vjetra të vjedhjes së parave në MEPSO”.
“BDI përsëri gënjen, manipulon dhe e nënçmon opinionin publik. Ofertën më të lirë e paraqesin si korrupsion, sepse nuk mund të pajtohen me faktin se MEPSO nuk është më kasa e tyre partiake. Faktet janë të qarta: në procedurën konkrete është zgjedhur oferta më e lirë. Ofertuesi i përzgjedhur ka ofruar çmim prej 184.535 denarësh pa TVSH, ndërsa oferta e renditur e dyta ka qenë 651.165 denarë pa TVSH. Diferenca është 466.630 denarë, përkatësisht oferta e zgjedhur është rreth 72 për qind më e ulët. Çfarë saktësisht e pengon BDI-në? Që është zgjedhur oferta më e lirë? Apo që më nuk mund të vendosin ata se kush do t’i fitojë tenderët?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Ata shtojnë se BDI me qëllim e ngatërron vlerën kornizë me çmimin e ofruar.
“Kjo është një kontratë kornizë, jo pagesë automatike. Vlera maksimale nuk do të thotë se do të shfrytëzohet e gjithë shuma, as se paratë janë paguar paraprakisht. Porositë realizohen sipas nevojës, veçmas dhe sipas punëve të kryera realisht. Por këtë herë me çmime shumë më të ulëta, ndryshe nga koha kur ata menaxhonin.
“Prandaj konstruksioni i tyre bie që në faktin e parë. Arsyeja e vërtetë e kësaj britme politike është tjetër: BDI bërtet sepse MEPSO ka filluar t’i ndërpresë skemat e vjetra. Bërtasin sepse u ndërpre kontrata në të cilën, sipas informacioneve publike, paraqitej edhe interesi i Nefit nga Ohri, i afërt me Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin. Bërtasin sepse u hap çështja se si për vite me radhë janë tërhequr para nga MEPSO përmes firmave të afërta, njerëzve të afërt dhe qarqeve të afërta me udhëheqësinë e BDI-së”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për ditë me radhë ka reaguar ndaj ndërmarrjes shtetërore MEPSO dhe drejtorit të saj, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe dëmin e mundshëm financiar ndaj shtetit. Sipas BDI-së, drejtori Burim Latifi dhe MEPSO kanë lidhur dy kontrata brenda të njëjtës ditë me kompaninë “Elnos BL” nga Republika Srpska, duke thelluar bashkëpunimin me këtë subjekt. BDI vlerëson se kjo situatë hap dilema serioze mbi procedurat dhe mënyrën e realizimit të këtyre marrëveshjeve.