Serbia dhe Kroacia derguan ekipe për shuarjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut

Serbia dhe Kroacia kanë ofruar ndihmë për shuarjen e zjarreve. Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, dërgoi një avion kanadez me dy ekuipazhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të ofruar ndihmë humanitare për shuarjen e zjarreve. Serbia nga ana tjetër këtë mëngjes dërgoi një helikopter Kamov Ka-32 kundër zjarreve, dhe ekipazhin e tij prej shtatë anëtarësh nga njësia e Helikopterëve dhe Ministria e Brendshme e Serbisë, të cilët do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në vend, transmeton Portalb.mk.

Në rastin e ndihmës nga Serbia, bëhet fjalë për aeroplan Canadair CL-415 me dy ekuipazhe, të cilët dërgohen me urdhër të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes Ivan Anusic.

Në ceremoninë e dërgimit mori pjesë edhe zëvendëskryeministri serb dhe Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq.
Në një deklaratë për median vendase, Daçiq tha se autoritetet në vend janë të njohura me mundësitë dhe kapacitetet e Serbisë në shuarjen e zjarreve dhe se ata kanë helikopterin Kamov Ka-32, që mund të transportojnë pesë tonë ujë. Ai theksoi në raste të tilla duhet reaguar, nëse ka nevojë për ndihmë.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë kudo ku është e nevojshme, duke respektuar procedurat dhe kërkesat nga vendet tjera. Nuk është fjala vetëm për një helikopter, ky helikopter do të vendoset në Maqedoninë  e Veriut me shtatë anëtarë të ekipazhit. Njësitë tona në Sektorin e Gjendjes Emergjente po dërgohen bashkë me Njësinë e Helikopterëve, pasi në këtë rast ne vepruam sëbashku” tha Daçiq.

Ai përkujtoi se Serbia është pjesë e Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile, i cili është krijuar për të mbështetur përpjekjet për parandalimin e fatkeqësive, dhe për të forcuar gatishmërinë e njësive të mbrojtjes civile për të vepruar në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.

Komandanti i Njësisë së Helikopterëve të MPB-së, bëri të ditur se një nga dy helikopterat kundër zjarreve Kamov Ka-32, në pronësi të njësisë së helikoptereve të MPB-së, i cili është prodhim rus, për herë të parë dërgohet jashtë kufijve të Serbisë”, tha Nenad Nediq.

Komandanti i Departamentit për Situata të Jashtëzakonshme, ai tregoi se anëtarët e MPB-së të Sërbisë, do të angazhohen në shuarjen e zjarreve në malin Serta, në komunat Negotinë, Konçe dhe Shtip”, deklaroi Lluka Çaushiq.

Komisioneri Europian për ndihma humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, falënderoi vendet e rajonit që ofruan ndihmë për përballjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut.

Përndryshe, dje Turqia dërgoi një helikopter dhe dy “airtraktorë” në Maqedoninë e Veriut, për t’iu bashkuar gjendjes së krizës së luftës kundër shuarjes së zjarreve.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pardje ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.