Sekretari i Shtetit Gjerman u largua për nepotizëm
Patrick Graichen, Sekretari i Shtetit për Energjinë në Ministrinë Gjermane të Ekonomisë dha të mërkurën dorëheqjen. Bashkëpunëtori i ngushtë i ministrit të Ekonomisë, Robert Habeck, u vu në shënjestër të kritikave për shkak se mori pjesë në përzgjedhjen e një kandidati për kreun e Agjencisë Gjermane të Energjisë (Dena), i cili ishte ish-politikani i Gjelbër nga Berlini, Michael Schäfer, edhe dëshmitar martese i Graichen. Sekretari i Shtetit nuk e zbuloi këtë detaj në fillim, shkruan DW.
Habeck flet për “parregullësi”
Habeck njoftoi dje (17 maj) në një konferencë për shtyp se Graichen po pensionohet para kohe, gjë që, siç tha ai, u vendos mbrëmë në një bisedë të përbashkët. Ministri iu referua edhe parregullsive të tjera. Ky është një promovim i planifikuar në kuadër të nismës kombëtare për mbrojtjen e klimës. Në nëntor të vitit të kaluar, Graichen rekomandoi dhënien e e një shume prej 600,000 euro për një projekt të degëve të Berlinit të organizatës për mbrojtjen e mjedisit BUND. Në bordin drejtues të kësaj organizate është edhe motra e Graichen, Verena.
“Njerëzit bëjnë gabime,” tha Habeck, duke shtuar se “këtu kanë ndodhur tepër gjëra”. Një pasardhës duhet gjetur sa më shpejt që të jetë e mundur, më së miri para pushimit veror parlamentar. Siç theksoi ministri, bëhet fjalë për “mbrojtjen e besimit në punën e kësaj shtëpie si institucion” dhe për “ruajtjen e aftësisë për të vepruar politikisht”.
Ministri nën presion
Pasi dëshmoi para Komitetit të Energjisë, Ekonomisë dhe Ndryshimeve Klimatike të mërkurën e kaluar, Habeck ishte ende në mbrojtje të Graichen. “Kam vendosur që Patrick Graichen nuk duhet të shkojë për shkak të këtij gabimi,” tha ai pas një seance dëgjimore dy orë e gjysmë përpara komisioneve.
CDU/CSU kërkojnë hetime
Përfaqësuesve të opozitës nuk u bënë përshtypje këto sqarime pas marrjes në pyetje, pasi besonin se kishte pyetje të tjera të hapura që duhen sqaruar. U kërkua edhe dorëheqja e Graichen. Përfaqësuesit e partive të Unionit CDU/CSU propozuan krijimin e një komisioni hetimor.
Ka pasur edhe kritika për marrëdhënie të tjera personale. Pra, motra e Graichen është gruaja e Michael Kellner, sekretari i dytë i shtetit në atë ministri. Ajo, si vëllai tjetër i saj, punon në Eco-Institut (Öko-Institut), i cili kryen kërkime për qeverinë federale. Ministria theksoi se Kellner dhe Graichen nuk ishin të përfshirë në vendimin për t’i dhënë punë Eko-Institutit. Por opozita pohon se kanë mbetur edhe ca gjëra që duhen sqaruar deri në fund.