Sekretari Blinken në takim udhëheqësit arabë për të diskutuar për qeverisjen e ardhshme të Gazës

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të premten me udhëheqës të vendeve arabe fqinje të Izraelit për të diskutuar të ardhmen e Gazës, ndërsa Izraeli rifilloi sulmet ajrore në këtë territor palestinez pas përfundimit të armëpushimit shtatëditor Izrael-Hamas, shkruan Zëri i Amerikës.

Të paktën 178 palestinezë u vranë dhe 589 u plagosën nga sulmet ajrore, tha ministria e shëndetësisë e Gazës.

Sekretari Blinken u takua me homologët e tij nga Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania dhe Bahreini, së bashku me përfaqësues të Autoritetit Palestinez, në kuadrin e konferencës së klimës COP28 të OKB-së në Dubai, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Sekretari Blinken është në udhëtimin e tij të tretë në Lindjen e Mesme që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit, një grup i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, pasi filloi sulmet ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor, duke masakruar 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 240, rreth 100 prej të cilëve u liruan në këmbim të të burgosurve palestinezë gjatë armëpushimit të sapopërfunduar shtatë-ditor.

Bisedimet me ministrat e jashtëm arabë u përqëndruan tek lufta Izrael-Hamas dhe si të dërgohen më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës, u tha Sekretari Blinken gazetarëve përpara se të hipte në avionin e kthimit për në Uashington.

Ai tha se folën gjithashtu për “çfarë ndodh të nesërmen (e luftës) në Gaza dhe se si ne mund të shkojmë në rrugën drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe të sigurt për izraelitët dhe palestinezët, në fakt për të gjithë në rajon”.

Sulmet ajrore dhe sulmi tokësor i Izraelit në Gazë, që synojnë eliminimin e Hamasit, kanë lënë më shumë se 15 mijë të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Ushtria izraelite tha se forcat tokësore, ajrore dhe detare goditën mbi 200 objektiva terrori, siç i quajti, që nga momenti i përfundimit të armëpushimit.

U bombardua rëndë Khan Younis, në Gazën jugore, duke i shtyrë banorët të largoheshin drejt zonave perëndimore, thanë gazetarët në terren të agjencisë së lajmeve Reuters.

OKB-ja tha se luftimet do ta shtojnë edhe më tej situatën e rëndë të emergjencës humanitare. “Ferri mbi tokë është rikthyer në Gazë”, tha Jen Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së në Gjenevë.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, kritikoi ashpër pasojat e sulmeve të reja izraelite ndaj civilëve në Gazë, në veçanti fëmijëve. “Sot personat në pushtet vendosën rifillimin e vrasjes së fëmijëve në Gazë”, tha ai nëpërmjet një lidhjeje me video nga Rafah, në Gazë. Ai e quajti konfliktin “një luftë ndaj fëmijëve”.

Elder foli për mungesa në ushqim, ujë dhe shërbime sanitare në Gazë dhe bëri thirrje për një armëpushim të zgjatur. Ai tha se alternativa është e paimagjinueshme për një popull që po jeton tashmë në një makth. “Mosveprimi, në thelb, është miratim i vrasjes së fëmijëve”, tha ai.