Samiti Frankofon: Macron dëshiron që Frankofonia të bëhet një “hapësirë ​​e ndikimit diplomatik”, pjesëmarrës edhe Mucunski

Dje dhe sot, përfaqësuesit e më shumë se 100 shteteve dhe qeverive po marrin pjesë në Samitin e 19-të të Frankofonisë në Villers-Cotterêts, raporton Portalb.mk.

Presidenti francez Emanuel Macron ka thënë se Frankofonia është një “zonë ndikimi” dhe u bëri thirrje anëtarëve të saj të “punojnë së bashku për të zhvilluar një diplomaci” që mbron “sovranitetin dhe integritetin territorial” kudo, “pa standarde të dyfishta” – nga Ukraina deri në Liban.

“Frankofonia është një zonë e ndikimit diplomatik që na lejon të përballemi me sfidat e shekullit…Ky është një vend ku së bashku mund të zhvillojmë diplomaci që mbron sovranitetin dhe integritetin territorial në mbarë botën”, tha Macron.

Tetëdhjetë e tetë vende dhe qeveri janë anëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF). Për herë të parë në 33 vjet po mbahet samit në Francë.

Misionet e Samitit të Frankofonisë janë: promovimi i gjuhës frënge dhe diversitetit kulturor e gjuhësor; promovimi i paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut; si dhe mbështetja e arsimit, trajnimit, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Në Samit sot merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi.

Ndryshe, për të festuar këtë vit të gjuhës frënge si dhe Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë, Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur Festivalin e Frankofonisë, “”Krijimi i një bote më të mirë”” dhe konkursin #SingInFrench në rrjetet sociale.

Festivali i Frankofonisë “Krijimi i një bote më të mirë” është një ftesë për të eksploruar dimensionet artistike, kulturore dhe sipërmarrëse të krijimtarisë frankofone.