Në kujtesën e kulturave të botës, GJUHA është zjarr, shkëlqim hyjnor, simbol i vullnetit të Zotit, mjet marrëveshjesh, po dhe shkas grindjesh të nxitura nga pretendimet hegjemone. Dëshmi për këtë janë tmerret ballkanike, të prira nga ideja e mposhtjes dhe ndalimit të përdorimit të gjuhës, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e emancipimi i të mundurit.
Shqipja, thoshte Sami Frashëri, është gjuha e njërit prej kombeve më të lashtë të kontinentit evropian. Eruditi shqiptar ishte i bindur se, për sa kohë një komb arrin ta ruajë gjuhën, ai i ka të gjitha mundësitë të mbahet gjallë, të mbijetojë tallazet e historisë, të mos shkrihet me të tjerët dhe të mos bëhet i huaj në vendin e vet.
Kjo është arsyeja përse Gjuha u vendos në qendër të levizjeve rilindëse dhe përse me aq ngulm u punua për alfabetin dhe njësimin e saj, për hapjen e shkollave, për botimin e gazetave, revistave dhe librave shqip.
Kjo është arsyeja e derdhjes së pakursyer të djersës dhe të gjakut të bijve të zgjedhur të etnisë, që na përcolli gjer këtu ku jemi sot; arsyeja përse Samiu u vu në ballë të përpjekjeve për emancipimin e kombit.
Larg Shqipërisë, Sami Frashëri që kishte ushqyer shpirtin me dije universale dhe që i njihte detajet e historisë së njerëzimit, formimin e kombeve dhe rëndësinë e gjuhës dhe emancipimit…, e kuptonte më mirë se gjithkush tjetër katandisjen e shqiptarëve. O, ç’turp i math!, thoshte Ai. Sot Shqipëtarëtë janë robër të poshtëruar’ e tunjurë, të shkelur’ e të çpërndarë… Bijt e tyre janë lakuriq me një këmishë që s’ka ku ta zërë qeni!
Sipas Tij, e gjithë kjo ishte pasojë e prapambetjes së shqiptarëve, të cilët, në raport me fqinjët kishin ngecur në të gjitha fushat e jetës dhe, si të tillë, dukeshin të paaftë të formojnë dhe të qeverisin shtet. I bindur se kombi mbahet me gjuhën e tij, Samiu e përsëriste në vazhdimësi se: S’mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla… Ndaj: Ata njerës, që harojnë a lënë gjuhën’ e tyre e flasinë një tjatrë gjuhë, me kohë bëhenë njerëzit’ e atij kombi q’i flasinë gjuhënë e dalinë nga kombëri’ e tyre. Kaqë kombe, që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo kurrë; po u përzienë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata…
Kështu, thoshte Samiu, janë shuarë Maqedonasitë, Thrakasitë, Ilirianët’ e kaq gjindje të tjerë, q’ishinë Pelasgë, do-me-thënë Shqipëtarë si na, e që sot s’janë, se u shuan’ e u haruanë duke humburë gjuhën’ e tyre…
Gjithnjë sipas Sami Frashërit: Ne nuk duam gjënë e tjetrit, por s’duam të lëmë dhe gjënë tonë e të drejtën sheshit të na i rrëmbejnë me pahir…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.