Sakrifica dhe fuqia e saj

 Afrim Ramadani
Autor: Afrim Ramadani

Fjodor Dostojevski ka thënë: “Kush nuk di të sakrifikojë, nuk di të dojë.”

Sakrifica është një nga gjërat më fisnike që një njeri mund të bëjë. Është një akt që mbart forcë të thellë, heroizëm të qetë dhe madhështi të padukshme. Kjo do të thotë heqje dorë nga diçka e çmuar, jo nga detyrimi, por nga dashuria, respekti apo dëshira për të flijuar, për një qëllim më të lartë.

Të heqësh dorë nga nevojat, dëshirat apo edhe nga jeta për hir të diçkaje më të madhe se interesi personal përfaqëson formën më të lartë të fisnikërisë njerëzore. Çdo ditë hasim shembuj të sakrificës – prindër që heqin dorë nga dëshirat e tyre për hir të fëmijëve, miq që i vënë nevojat e të tjerëve para të vetave, madje edhe njerëz të panjohur që i ndihmojnë të tjerët në kohëra të më të vështira.

Që nga kohërat e lashta, njerëzit e kanë ditur se nuk ka dashuri të vërtetë, miqësi, patriotizëm apo edhe art pa gatishmëri për të flijuar. Gjatë historisë, shumë njerëz kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me sakrificën e tyre. Heronj që ranë për lirinë e atdheut apo popullit të tyre, nëna që kaluan ditë e netë duke mbikëqyrur fëmijët e sëmurë, mendimtarë që duruan persekutimin për idetë e tyre – të gjithë këta janë provë se vlera e vërtetë nuk qëndron në pasuri apo famë, por në aftësinë për të dhënë, duke mos pritur shpërblim.

Edhe aspekti fetar i të flijuarit është shumë i madh. Në shumë fe ekziston një akt i ofrimit të flijimeve për perënditë (p.sh. ushqim, kafshë, madje edhe flijime simbolike, si lutjet dhe agjërimi).

Megjithatë, sakrifica nuk është e rezervuar vetëm për momente të rëndësishme historike. Jo gjithmonë duhet të jetë e madhe dhe dramatike. Ndonjëherë janë të mjaftueshme sakrifica të vogla, të përditshme ( të ndihmuarit një të varfëri, një miku, një të sëmuri, …, një jetimi), në vend që të bëjmë diçka për veten tonë. Vlera e vërtetë e sakrificës qëndron në dëshirën e sinqertë për të bërë mirë, jo në madhësinë e asaj që heqim dorë. Kur heqim dorë nga rehatia jonë për të ndihmuar të tjerët, nga përfitimet personale për hir të së mirës së përbashkët, atëherë tregojmë se ndjenja më fisnike njerëzore – empatia – ende ekziston tek ne.

Sakrifica e vërtetë nuk është e lehtë. Kërkon guxim, tejkalimin e vetvetes dhe një kuptim të thellë të jetës. Ajo kërkon nga ne që të shohim përtej vetes dhe të besojmë se përpjekja jonë, edhe pse mund të mos vihet re ose të mos shpërblehet menjëherë, ka kuptim. Në një botë që shpesh nxit egoizmin dhe fitimin e menjëhershëm, sakrifica na kujton vlerat e përjetshme: dashurinë, besnikërinë, nderin dhe njerëzimin..

Në fund, të sakrifikuarit nuk na ul, por na lartëson. Sakrifica na mëson dashurinë, dhembshurinë dhe vlerat e vërteta të jetës. Na bën njerëz më të mirë dhe na ndihmon që të  bëjmë botën përreth nesh një vend më të dashur. Na bën pjesë të diçkaje më të madhe, na pasuron zemrat dhe lë gjurmë, që as koha nuk mund ti fshijë.