Saimir Pirgu: Vetëm arti, kultura, sporti dhe intelektualët mund ta mbajnë kombin tonë të fortë e të begatë
Për lexuesit e Portalb.mk sot sjellim intervistën me tenorin shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu. Pirgu foli për koncertin në Kosovë, rrugëtimin e tij artistik si dhe albumin e tij të fundit të titulluar SAIMIR.
Pirgu ka dy dekada që e ka nisur rrugëtimin e tij në artin operistik. Falë aftësive të veçanta vokale, sot ai ka një repertor mjaft të larmishëm, ku ka interpretuar në rolet kryesore të shumë operave. Ai ka bërë emër me interpretimet e tij në operat kryesore të botës, ku për të është e rëndësishme të ruajë nivelin artistik, si dhe ta pasurojë repertorin e krijuar në vite.
Së fundi ai u rikthye për herë të parë në një koncert në Kosovë ku interpretoi vepra nga repertori i tij artistik. Gjithashtu ai solli dhe albumin e tij më të fundit në CD, me titullin SAIMIR.
Portalb.mk: Saimir sapo realizuat ditë më parë gala koncertin në Kosovë na tregoni se si ju priti publiku kosovar dhe çfarë vepra prezantuat para publikut?
Saimir Pirgu: Jam tejet më të vërtetë me shumë ovacion, jo vetëm unë por edhe sopranoja Marigona Qerkezi dhe maestro Elda Laro. Ishte një mbrëmje e veçantë, ku shpaloseshin arie nga më të bukurat e repertorit operistik, por edhe ato të albumit që unë sapo kam regjistruar.
Është albumi im i tretë, gjithashtu ishte përzgjedhur edhe një program më i larmishëm, duke e ditur që unë shkoja në Kosovë për herë të parë, edhe me arietësinë e repertorit operistik nga më të famshmet por gjithashtu edhe ajo shqiptare nga opera Amerika, duete dhe me surpriza të bukura dhe më ka lënë një përshtypje goxha të mirë dhe njerëzit ishin me të vërtetë tejet të emocionuar dhe entuziast. Mbas shfaqjes, të gjithë dëshironin të më takonin dhe të më falënderojnë për ardhjen, ishte një emocion tepër i madh.

Portalb.mk: Na tregoni se çfarë përmban albumi juaj i tretë?
Saimir Pirgu: Është një album ku përfshihet pothuajse një dhjetëvjeçar i imi i sukseseve të operave që kam pasur deri tani. Është një dekadë tjetër që do të jetë në vijim. Gjithashtu janë zgjedhur 20 arie nga repertori im shumë botëror si në gjashtë gjuhë të ndryshme por gjithashtu edhe në gjuhën shqipe, por përsëri kam zgjedhur kompozitorin Prenk Jakova duke qenë nga të parët kompozitorë shqiptar, dhe nga ata që publiku e njeh më tepër, por që të panjohur për muzikën ndërkombëtare. Interesi për arien që kam regjistruar të Prenk Jakovës nga kritikë të ndryshëm ndërkombëtar ka qenë me të vërtetë prioritet ndaj këtij albumi, sepse një muzikë shqiptare, shumica e kritikëve nuk e kanë dëgjuar. Kështu që përveç arieve të famshme të Toskës, të Lohengrin, të Bohemës apo Adriana Lecouvreur, ka dhe një arie shqiptare dhe ky është një dedikim një imazh i muzikës shqiptare dhe kompozitorit tonë Prenk Jakova.
Portalb.mk: Saimir cekët një periudhë të gjatë tënden në skenë, na tregoni për sakrificat dhe qëndrimin në skenë gjatë këtyre viteve?
Saimir Pirgu : Nuk është e lehtë që të jesh artist, nuk është e lehtë të qëndrosh në karrierë gjatë, të japësh gjithmonë një risi, të japësh gjithmonë një rol të ri, kështu që është përgjegjësi e artistit e timit që të ndjek nga pas, që të bëhesh sa më interesant. Të nevojitet edhe përgatitje vokale dhe fizike dhe aktoriale që teatrot të rëndësishëm të kenë gjithmonë kërkesë për interpretimet e tua, që kjo kërkon një dedikim pothuajse 100% të jetës tënde artistike dhe jetës tënde private. Kështu që unë kam qenë tepër i kënaqur me këto çka kam arritur deri tani por është vetëm fillimi i jetës time artistike dhe pres që këto vitet në vijim të vazhdoj me të njëjtin intensitet, duke zbuluar role dhe interpretime të reja që do i shtohen repertorit tim.

Portalb.mk: Cili ka qenë roli më i vështirë për tu arritur për ju si tenor?
Saimir Pirgu: Ka shumë, çdo rol është i vështirë të gjithë rolet që kur debutohet për herë të parë, kërkojnë kohën e tyre, kërkojnë interpretimet e tyre. Por, një nga rolet më të vështira ka qenë interpretimi i rolit “Hoffmann”, ka qenë operat nga më të vështirat dhe “Romeo dhe Zhulieta”, janë role që përveçse se janë në gjuhë të huaj në gjuhën franceze apo edhe në gjuhë të tjera, kërkojnë dhe një impenjim vokal tepër tepër të madh kështu që kanë qenë sfida të fituara, por që duhet mbajtur mirë përgjegjësi kur përballesh me këto role të vështira.
Portalb.mk: Si ndiheni kur interpretoni para publikut shqiptar edhe pse si zakonisht ju interpretoni nëpër skena të ndryshme të botës?
Saimir Pirgu: Publiku është për mua njëlloj kudo ku ndodhem, mirëpo energjia që merr prej tyre është e ndryshme. Energjia që kam marrë sidomos në koncertin e fundit në Kosovë do ta kujtoj për shumë gjatë. Ndiheshin respekti dhe dashuria që donin të më thonin, ishte hera ime e parë dhe nuk do të jetë e fundit ju kam premtuar që do të rikthehem shpejt. Vetëm kënaqësi nuk di çfarë të them tjetër.
Portalb.mk: Cili është çelësi i gjithë këtyre sukseseve?
Saimir Pirgu: T’i besojnë ëndrrës së tyre dhe të punojnë fort, pa u lodhur kurrë dhe në çoftë se nuk ju del në një vend të provojnë në një vend tjetër, po ishte ëndrra e fortë, e bukur një ditë do të realizohet, sigurisht me talent dhe me punë patjetër.

Portalb.mk: Na flisni për imazhin e shqiptarëve në botë?
Saimir Pirgu: Imazhin e shqiptarëve nëpër botë e kanë vetë në dorë shqiptarët, ata që janë të mirë e kanë treguar veten ata që janë të këqij gjithashtu e tregojnë veten dhe na e bëjnë dhe ne të tjerëve jetën pak më të vështirë. Kështu që duhet shumë punë për ne, të gjithë shqip folësit që të bëhemi më të kujdesshëm sidomos për imazhin tonë nëpër botë.
Portalb.mk: Si ishte bashkëpunimi me dirigjentët e famshëm me të cilët keni punuar?
Saimir Pirgu: I shkëlqyer, normalisht kur ti rikthehesh me ta, punon dhe pastaj je përsëri me ta, është gjëja më e bukur që mund ti jepet një artisti, një këngëtari dhe të interpretoj më tepër të mësoj më tepër nga jeta e këtyre njerëzve që dinë më tepër se sa ti dhe ata pastaj ndikojnë shumë në pjekurinë tënde artistike.
Portalb.mk: Pas koncertit në Kosovë do kemi edhe ndonjë koncert nga ana e juaj në Maqedoninë e Veriut, për publikun shqiptarë?
Saimir Pirgu: Kosova këtë vit e bëri ftesën për herë të parë, kështu që unë pres ftesën nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Unë do mundohem të gjejë një moment me kënaqësi të vij dhe të këndoj për publikun shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë.
Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj deri te audienca e gjerë?
Saimir Pirgu: Mesazhi im është një urim për festat e fundvitit, vetëm arti, kultura, sporti dhe intelektualët mund ta mbajnë kombin tonë të fortë e të begatë, duhet më tepër vëmendje për jetën kulturore, artistike dhe sociale në vendet tona e kam fjalën jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe gjitha shtetet që flasin shqip.
