Bisedimet për paqe në Ukrainë “nuk janë të lehta”, por NATO qëndron me Ukrainën, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Rutte ka vizituar Ukrainën, ku në Odesa është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, shkruan Koha.net.
Rutte ka dënuar fuqishëm sulmin rus në qytetin ukrainas Sumy të dielën, gjatë të cilit u vranë 35 civilë.
“Populli i Ukrainës meriton një paqe të vërtetë, siguri të vërtetë në vendin e tyre. Në shtëpitë e tyre”, ka thënë Rutte.
Rutte ka thënë se bisedimet që presidenti i SHBA-së, Donald Trump po i zhvillon me Ukrainën dhe Rusinë, duke tentuar t’i japë fund luftës, “nuk janë të lehta”.
“Por, ne të gjithë mbështesin shtytjen e presidentit Trump për paqe”, tha Rutte.
Aleatët tjerë, si Franca e Britania e Madhe, janë të gatshëm dhe të aftë të mbajnë më shumë përgjegjësi për të ndihmuar në sigurimin e një paqeje kur të vijë koha, tha Rutte.
“Pra, në lejoni t’i them përsëri popullit të Ukrainës. Ne qëndrojmë me ju”, tha Rutte.