Rusët votojnë për t’i dhënë mandat të ri Putinit, lufta e të cilit në Ukrainë rriti rejtingun e tij

Përderisa vendi është në luftë, mund të ketë vetëm një kandidat real dhe vetëm një fitues në zgjedhjet presidenciale të Rusisë: Vladimir Putini. Nga Kamçatka në Kaliningrad, zgjedhjet treditore zgjasin nga sot deri të dielën dhe popullariteti i Putinit 71-vjeçar është shumë i lartë, paralelisht me mbështetjen e fortë për luftën në Ukrainë, transmeton Portalb.mk.

Perëndimi e konsideron Putinin një autokrat, kriminel lufte dhe vrasës, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden së fundmi e quajti atë “të çmendur”. Por në Rusi, lufta e ndihmoi Putinin të konsolidonte fuqinë e tij dhe të rriste popullaritetin e tij. Sondazhet tregojnë se 86% e rusëve mbështesin Putinin, krahasuar me 77% para luftës në Ukrainë. Vlerësimi i miratimit të Putinit u rrit gjithashtu gjatë luftës së vitit 2008 me Gjeorgjinë dhe kur Rusia aneksoi Krimenë një dekadë më parë.

Putini nuk i lë asgjë rastësisë. Që nga fillimi i pushtimit rus, autoritetet kanë shtypur të gjitha shenjat e mospajtimit dhe kundërshtimit, ndërsa media shtetërore është ashpër besnike ndaj Putinit. Detyra e tre kundërshtarëve Nikolaj Kharitonov, Leonid Slutsky dhe Vladislav Davankov është të humbasin. Asnjë prej tyre nuk gëzon më shumë se 6% mbështetje, por të gjithë mbështesin politikat e Kremlinit.

Kandidatit të vetëm kundër luftës, Boris Nadezhdin, iu mohua leja për të kandiduar pasi mijëra njerëz u rreshtuan për të nënshkruar kandidaturën e tij.

Shqetësimi kryesor i Kremlinit është të sigurojë një pjesëmarrje të lartë, e cila gjashtë vjet më parë ishte 68%, dhe do të ketë votime në territoret e pushtuara të Ukrainës.

Si president apo kryeministër, Putin ka udhëhequr Rusinë që nga viti 2000 dhe ndryshimet kushtetuese kanë siguruar dy mandate të tjera gjashtëvjeçare, që do të thotë se ai mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.