PËR PROMETEUN QË LËROI SHKËMBIN

Rilindja është epoka që lindi e rriti personalitete të papërsëritshme, që ringjallën nga hiri vetëdijen kombëtare. Ata qenë të etur për dije nëpërmjet së cilës ndihmuan mëkëmbjen e Atdheut, në njërën prej stinëve më të liga për shqiptarët. Në mesin e më të shquarve prej tyre qe Enciklopedia e gjallë Faik Konica, i cili dha një kontribut të veçantë për zhvillimin e gjuhës së magjishme shqipe. Që prej 1893, skroi Ai në një artikull, unë po merresha me lëvrimin e gjuhës sime dhe kisha krijuar një bibliotekë që përmbante të gjitha librat e botuara prej albanologëve të huaj. Kisha filluar të shkruaj disa artikuj mbi kombësinë shqiptare në një gazetë të Parisit. Unë isha një nga të rrallët (të pakët) që, me iniciativën time merresha me këtë çështje.

Një jetë të tërë Konica lëroi shkëmbin shqiptar. Bëri luftë titanike që me dritën e mendjes të ndriçojë udhën nëpër të cilën duhej të ecnin shqiptarët. Armë të tjera, pos gjuhës dhe shkrimit, nuk pati. Ai trokiti në ndërgjegjen e kombit dhe e zgjoi atë nga gjumi shekullor. Nga distanca shkundi themelet e pushtetit të huaj dhe grisi perçet e rreme të dashamirësisë së fqinjëve. U përpoq të ndalë tkurrjet e mëtejshme të gjeografisë etnike, që, pa këto beteja, sigurisht do të ishte më e dhimbshme seç është.

Gjithë këto Konica i bëri nëpërmjet revistës ALBANIA – kësaj tribune të mendimit atdhetar, kësaj shkolle që kultivoi gjuhën shqipe, që riparoi shpirtin evropian të shqiptarëve, që kultivoi frymën e munguar kritike në shumë fusha të jetës.

Dyzet e shtatë vjet zgjati përpjekja e Tij për realizimin e planit për të stërvitur shpirtin dhe karakterin e popullit. Për këtë qëllim, përveç “Albanisë”, themeloi e drejtoi edhe revistat: “Albania e vogël”, “Delli”, “Trumbeta e Krujës”,“Ushtimi i Krujës”, “Flamuri”,”Shqipëtari i Amerikës”, “Bota e re”, “Purteka” dhe “Kombi në rrezik”, nëpër faqet e të cilave la historinë e gjallë me mbi 1500 artikuj, pa llogaritur këtu letërkëmbimin e veçantë, përkthimet, fjalimet, konferencat, ligjeratat, intervistat dhe shkrimet në gjuhë të huaja, disa prej të cilëve akoma janë të panjohura për ne. Përveç revistave të posapërmendura, Konica bashkëpunoi edhe me të përkohshme tjera shqipe, gjithnjë duke përçuar zërin e rrezistencës kundër pushtuesve.

Parë në tërësinë e saj, udha jetësore e Faik Konicës ka qenë me gjemba, sepse të botosh asokohe gazeta në gjuhën shqipe që sfidonin armiqtë dhe iletet kronike të një shoqërie në fazën e formësimit të saj, ishte punë që kapërcente shumëfish mundësitë e një individi. Megjithatë, Konica i hyri kësaj beteje, i vetëdijshëm për rreziqet me të cilat u ballafaqua një jetë të tërë.

Ai u shpalli luftë atyre që shikonin me mosbesim përparimin e gjuhës shqipe, atyre që dekurajonin nismat premtuese për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Me revistën enciklopedike, Konica gatoi ushqimin shpirtëror të një kombi të tërë, e bëri shqipen gjuhë shkrimi, e shndërroi atë në shtyllë qendrore të qenies shqiptare – roje të identitetit evropian të kombit.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e zhvillimit të mediave të shkruara shqipe, Jup Kastrati shkroi: Dyzet e pesë vjet editor, administrator, mbarështrues revistash e gazetash në Belgjikë, Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Unë nuk njoh ndonjë publicist apo gazetar tjetër të këtij kalibri me përmasa ndërkombëtare që t’i rrijë përbri Faikut.

Mitrush Kuteli, ndërkaq, ua dha një shpullë të fortë mohsave të veprës koniciane, duke ua bërë me dije se Konicën mund ta akuzojmë vetëm pse nuk shkroi më shumë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.