Mistrec, ke guxuar të vesh emrin tim në ato shkarravina! Kështu e qortoi babai Kadarenë për poezinë e tij të parë në gazetë

Më poshtë ju sjellim një histori interesante me gjeniun e letrave shqipe Ismail Kadarenë i cili kur shkroi poezinë e parë pati një moment jo fort të këndshëm me babanë e tij që i ka ngelur në kujtesë dhe që e ka ndarë më vonë me lexuesit. Bëhet fjalë për publikim e poezisë së tij të parë që do e veçojmë me rastin e Ditës Botërore të Poezisë për lexuesit e Portalb.mk.

Para ca kohësh kërkoja poezinë e Ismail Kadaresë “Babai’’ dhe më erdhi shumë çudi kur hasa në një shpjegim të deformuar të subjektit të kësaj poezie që gjoja flet për një baba në kohën e komunizmit që mban një gazetë ku ia kanë sharë djalin e madh. Në fakt, përtej kësaj, Kadareja tregon për herën e parë kur i është publikuar vjersha në gazetë. Për këtë ngjarje Kadareja flet te romani ‘’Kronikë në gur’’ ku fshihet si gjithnjë pas personazhit të tij të shpeshtë Ilirit.  Po shkëpusim fragmentin ku flet për këtët ngjarje ku u nda i qortuar nga babai , pasi sipas rregullave të botimit, në poezi duhej përdorur emri i autorit , emri i babait dhe mbiemri, ajo që e ka acaruar që pikërisht kjo që kishte përdorur emrin e tij dhe në kafe e kanë tallur miqtë.

“U botua! U botua!” thërriste Iliri me gazetë dhe duart që i dridheshin. Iu desh një copë herë sa ta gjente vendin ku qe vjersha. Zhgënjimi që  nuk e pashë me germa të mëdha, u davarit në çast, por oh ç’ mrekulli, pashë vargjet që i kisha shkruar te muri.

Në drekë babai hyri në shtëpi i vrenjtur.

“Ti more mistrec, ke guxuar të vesh emrin tim në ato shkarravinat e tua, hë? More karagjoz, që kemi jetuar gjithë jetën me nder dhe erdhe ti të na turpërosh dhe ku pa në gazetë… Bëre ç ‘bëre të mos të shoh më të merresh me maskarallëqe të tilla, more vesh?

Këtë moment të shfryerjes së zemërimit të babait e ka pasqyruar po ashtu edhe në poezi, është pikërisht vjersha me titullin dhe vargjet si më poshtë:

Kopertina e librit
Kopertina e librit të Ismail Kadaresë

“Babai”

Ai erdhi në mbrëmje i pirë

afër vatrës u ul, u step.

Kasketa e vjetër, e nxirë,

gazeta e ditës në xhep.

Pse kish pirë nuk e tregoi

nëna tha: “Ku ta dish!”

dikush vjershat e djalit të madh

në gazetë kritikuar kish.

Në klub plot potere të tymtë,

në gazetë i treguan një vend

dikush i kish thënë: “vate

dhe puna e djalit tënd!”

Për vjershat e djalit s’kish pasur

të veçantë interesim…

sonte ish herë e parë

në klubin e vogël plot tym.

Poezia na le të kuptojmë se rrethanat e shkrimtarit tonë të famshëm nuk kanë qenë shumë të favorshme për të si krijues. Një djalosh nga ‘’ Sokaku i të marrëve’’ ku jetonin pijanecët, njerëz me halle e fate të çutishme, të rinj e të reja që ishin dhe personazhë të veprave më pas. Sa i përket mamasë së Kadaresë, ai e përshkruan atë si shumë naive te romani ‘’Kukulla’’, por ekziston edhe një poezi te e cila edhe vetë ai çuditet se si nga ata të dy kishte ardhur një djalë prej të cilit buronin vargje. Poezia flet pikërisht për artin e poezisë për të cilin thoshte se do ishte stacioni i tij i fundit, por siç duket nuk e mbajti fjalën, pasi proza e deshi atë më shumë , ose ai më shumë prozën nuk i dihet.

‘’Poezi,

Udhën gjer tek unë si e gjete?

Mamaja ime shqipen mirë s’e di,

Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje,

Babai u end në rini në të tjera dete,

Po ti erdhe

Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim

Të gurtë, të qetë,

Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe

Nr.16.’’

Ndaj, të rinj e të reja që shkruajnë, nuk duhet të dekurajohen asnjëherë nga komentet negative ose nga kritikat, por thjesht duhet të vazhdojnë të shkruajnë nëse ndjejnë se duhet të shkruajnë. Shembulli më lart shërben pikërisht për të parë se jo gjithmonë të tjerët na shohin qartë, qofshin këta dhe më të afërmit tonë. Vazhdoni kërkoni adresën e poezisë dhe një ditë ajo do të trokas te ju, se siç thotë Rumi ” Ajo që ju kërkoni, po ashtu ju kërkon”.