Rrugëtimi i Flora Brovinës për liri dhe barazi: Nga Poezia në burg, nga mjekësia në politikë
Flora Brovina është personazhi i kësaj jave me të cilën bisedoi Portalb.mk. Ajo është një figurë e shquar e kulturës, mjeksisë dhe politikës në Kosovë, e njohur për kontributin e saj të jashtëzakonshëm si poete, pediatre dhe aktiviste për të drejtat e grave dhe të njeriut. Brovina foli për rrugëtimin e saj, vështirësitë me të cilat është ballafaquar gjatë këtij rrugëtimi dhe shumë të tjera.
Portalb.mk: Cila ishte nxitja juaj e parë që ju solli në botën e poezisë dhe të mjekësisë?
Flora Brovina: Së pari ju përshëndes dhe ju falënderoj që më dhatë mundësinë e prezantimit para auditorit tuaj. Më pyesni për fillimet e para! Kam qenë në shkollën fillore kur botova poezitë e para apo tregime kryesisht në “Rilindjen për Fëmijë”, ose i lexoja në emisionet për fëmijë në Radio Prishtinë. Në shkollën fillore dhe në gjimnaz kam udhëhequr edhe grupin letrar. Atëherë nuk mendoja të bëhem mjeke pasi lëndët e preferuara pos letërsisë ishin matematika, gjeometrik diskriptive, fizika që do të thotë teknika. Mjekësinë e zgjodha më vonesë, pse kisha një frikë a do të di mjaftueshëm të i’a pushojë dhimbjen të sëmurit.
Portalb.mk: A ishte e vështirë të jesh grua me zë të fuqishëm në një shoqëri në tranzicion si ajo e Kosovës?
Flora Brovina: Kam jetuar në një familje ku kemi qenë të gjitha vajza pos babait, më vonë vëllait (stërgjyshit, gjyshja nëna dhe ne gjashtë motrat). Shembulli i forcës së gruas për mua ishte gjyshja dhe nëna, aty e morra forcën, ato do të jenë heroina e mija në jetë dhe inspirimi në shumë kuptime në jetë, edhe kur flasim për letërsinë. Ju thoni: Kosova ishte në tradicionale…jo ajo ishte edhe më keq. Në fëmijërinë time lë gjurmë burgosja e babait, pastaj pasi doli nga burgu filloi shkollimi i tij i lartë, ai diplomoi kur unë fillova studimet. Kishim bibliotekë të pasur dhe lexonim të gjithë. Gjyshja ishte një heroin e heshtur, ajo kishte përjetuar burgosjen dhe kampet e përqendrimit në Luftën e dytë botërore, ajo ishte modeli i gruas qëndres dhe të paepur, i sakrificës për liri. Pra të rritesh në këtë mjedis nuk mund të ishe ndryshe.

Portalb.mk: Gjatë luftës së Kosovës, ju ishit mjeke dhe humaniste e njohur. Si e përjetuat atë periudhë të errët?
Flora Brovina: Për kohën që po flasim, pra vitet 81-98-të, janë vite edhe më të rënda, vite të luftës për ekzistencë kur nuk mund të ishe indiferente, kujtoj demonstratat e studentëve, maltretimet, burgosjet, plagosjet dhe vrasjet. Unë domosdo, si çdokush në vendin tim, do të kryeja detyrën time. Por gjërat vinin duke u keqësuar ndodhi segregacioni në shkolla, helmimi i fëmijëve me helme neurologjike, dhe përjashtimi i njerëzve nga puna, edhe e mjekëve pediatër madje që u përjashtuan ndër të parët.
Unë do të punoj pas kësaj si mjeke ilegale vullnetarisht. Ishte situatë e rëndë ku e harron veten, madje edhe familjen. Megjithatë nuk mungonte solidariteti, mirëkuptimi dhe gatishmëria për ti dalë në ndihmë njëri tjetrit.. Njëherë isha pjesë e organizimit të një fronti të rezistencës që u quajt më vonë Lidhja Demokratike e Kosovës, në kuadër të saj edhe Forumi i Gruas, ku dhe veproja edhe në terene, por edhe në organizimin e protestave, peticione, vizitave reagimeve etj.
Më vonë me shoqet e mija do të ndahemi dhe do të formojmë Lidhjen e Gruas Shqiptare, me duket në Kosovë. Maqedoni, Preshevë Malin e Zi dhe Shqipëri. Qëllimi ishte këmbimi i përvojave, emancipimi dhe inkuadruar i gruas, të vetëdijshme për një situatë që mund të vinte e që dihet se erdhi, lufta. Jam shumë krenare që isha pjesë dhe që e njoha forcën e gruas në këtë kohë shumë të rënd. Ishte kohë kur njeriu harron për veten.
Forca vinte nga harmonia e komunikimit me shoqet, nuk ishim vetëm dhe kishim një ideal, një qëllim, lirinë. Ia dolëm vetëm pse ishim bashkë. Në mesin tonë, nuk isha unë por shumë histori nga burgjet jugosllave, shumë histori të grave të thirrura në biseda informative… shumë vasha e gra që i dolën zot atdheut me armë në dorë, nëna, sot dëshmori që i lanë fëmijët e tyre për tu ndihmuar të plagosurve.
Burgosja ka ndodhur pasi kisha shumë detyra dhe nuk mund ti lija ato. Kisha Qendrën për rehabilitimin e nënës dhe fëmijët në Prishtinë, me qindra gra e fëmijë nga tërë Kosova. Kisha Spitalin ilegal në Bregun e Diellit, disa punkte në qytet, ambulancën time etj, dhe shumë pak personel pasi ishin larguar gjatë bombardimeve. Unë duhet të qëndroja. Burgosja më privoi që tu ndihmoja atyre që kishin nevojë për ndihmën time.
Portalb.mk: Çfarë ju mbajti të fortë gjatë rrëmbimit dhe burgosjes suaj në Serbi, dhe si ndikoi kjo përvojë në formimin tuaj si njeri?
Flora Brovina: Më mbajti ideali i lirisë i kalitur që në vogëli. Kush isha unë që të mërzitem për vete, për shëndetin tim para gjithë asaj sakrifice të popullit tim, të fëmijëve, të grave e burrave. Po, besoj se qëndresa ime ishte inspirim për të tjerët të burgosur burra dhe gra dhe jo vetëm për ata por edhe për ata që na malltretonin dhe me kohë ndërronin qëndrimin, zbuteshin si shtazët e egra.
Portalb.mk: A mendoni se vuajtjet personale ju forcuan dhe ju kthyen në një simbol shprese për të tjerët?
Flora Brovina: Përvoja në burg dhe dënimi 12 vjet nuk mund të ndikonte aspak në qëndrimin dhe karakterin tim ngase isha grua e pjekur, me vetëdije i takoja rezistencës aktive për liri. Në burg i pata mbushur 50 vjet.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi përcillni përmes poezive tuaja dhe a mund të ndani me ne një moment të veçantë nga krijimtaria juaj?
Flora Brovina: Duke qenë se jam ndër krijuesit e para në Kosovë, unë përcjellë atë kohë, mezi kohën dhe të sotmen. Flas për emancipimin e gruas, shpërnguljen për rezistencën, për shpirtin delikat të gruas, për luftën. Moment i veçantë është për mua çdo varg dhe çdo rrëfim apo ese…Ndoshta më të veçantët ende nuk i kam shkruar ende.
Portalb.mk: Çfarë ju shtyu të përfshiheshit në politikë dhe si e përjetuat këtë kapitull të jetës suaj?
Flora Brovina: Edhe unë e pyes veten jo rrallë herë dhe nuk pendohem për këtë rrugëtim edhe pse dihet se politikën e urrej dhe e kam menduar se nuk do të merrem kurrë me të. Ishin rrethanat dhe një moment i caktuar, ishte vazhdim i ” luftës” ku po anashkaloheshin luftëtarët, ku kujtoj se dëshmori se lufta jonë ishte domosdo dhe pikërisht luftë për paq për ekzistencë të një populli të pambrojtur, se s’kishim forcë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë të qytetarëve të barabartë, ku mund të falim por kurrë të mos harrojmë çfarë ndodhi sa vuajti populli jonë, kjo për hir të paqes dhe fqinjësisë.
Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që sakrifikuan shumë për këtë liri në rend të parë, pra UÇK. Së dyti me vetëdije, unë me koleget e mija po hapnim një rrugë të re dhe ballë hapur po ecnim në ndërtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, jo si simbolik dhe pozita të falura por zëshëm dhe me guxim të zëmë vendin ku na takon dhe e meritojmë si gra për sakrificën, për përgatitjen profesionale që kemi dhe kontributin që mund të agim në shoqëri, për të dëshmuar të drejtat e njeriut, pra dhe grave nuk është vetëm fjalë.
Portalb.mk: Si e shihni sot rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve?
Flora Brovina: Shembullin e dha Kosova. Ajo i besoi gruas dhe sot duket gjuhë arkaike të flasësh për disa gjëra. Tani varet nga vetë ne. Pjesëmarrja dhe përgatitja e jonë, nga guximi i vetë gruas të hyjë në garë. Duhet të ketë përgatitje, vizion dhe guxim, të ndryshoj gjuhën e vrazhdë politike në dialog ndikues dhe bindës, të jetë grua me besim që mundet dhe di ta bëjë secilën punë mirë, me guxim dhe bindshëm