Rroga mesatare neto në dhjetor 2023 arriti afër 40 mijë denarë, raportoi Enti i Statistikave në RMV

Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se paga mesatare mujore bruto për të punësuarit gjatë muajit dhjetor 2023 ishte 60,036 denarë, ndërsa paga mesatare mujore neto 39,998 denarë, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, indeksi i pagës mesatare mujore bruto për të punësuarit, gjatë muajit  dhjetor 2023 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2022, është 116.8 ndërsa indeksi për pagën neto është 116.4.

Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore bruto dhe neto për të punësuarit në sektorët: Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm, furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar dhe ndërtimtaria.

Rritja e pagës mesatare mujore bruto dhe neto për të punësuar, krahasuar me muajin paraprak, është vënë re në sektorët: ndërtimtari, minierat dhe guroret (industria nxjerrëse) dhe arte, argëtim dhe rekreacion.