Rritet trysnia ndaj kryeministrit Netanjahu mbi planet për Gazën e pasluftës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu po vihet gjithnjë e më shumë nën trysni nga jashtë dhe brenda vendit për të përcaktuar objektivat strategjike për përfundimin e luftës Izrael-Hamas dhe mundësimin e një zgjidhjeje politike për territorin palestinez, raporton VOA.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant bëri kritika të ashpra të mërkurën në një fjalim televiziv, duke i bërë thirrje kryeministrit të marrë “vendime të vështira” për Gazën e pasluftës, pavarësisht nga kostot politike. Zoti Gallant i paralajmëroi izraelitët se mosveprimi do të eliminonte avantazhet e arritura nga lufta dhe do ta vendoste në rrezik sigurinë afatgjatë të vendit.

Zoti Gallant kritikoi zotin Netanjahu për mungesën e planeve për të zëvendësuar regjimin e Hamasit në periudhën e pasluftës.

“Që nga tetori, e kam ngritur këtë çështje vazhdimisht në Kabinet dhe nuk kam marrë përgjigje”, tha ai.

Komentet e zotit Gallant u bënë pasi këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan u tha gazetarëve të hënën se Izraeli nuk i ka kombinuar ende operacionet ushtarake me një plan politik për qeverisjen e territorit palestinez pasi të kenë përfunduar luftimet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e përsëriti këtë mesazh të mërkurën, duke thënë se Izraelit i duhet një “plan i qartë dhe konkret” për të ardhmen e Gazës, për të shmangur një vakuum pushteti që do të shoqërohej nga kaosi.

Zoti Gallant ka përjashtuar çdo formë qeverisjeje izraelite në Gazë, duke thënë se ky territor duhet të drejtohet nga “entitete palestineze” me mbështetje ndërkombëtare, një qëndrim ky i mbështetur prej kohësh nga administrata e presidentit Biden.

Administrata amerikane nuk konfirmoi nëse i pati bashkërenduar deklaratat e zotit Gallant me ato të zyrtarëve të lartë amerikanë.

“Nuk do të flas për kohën kur u bënë deklaratat. Nuk do të bëj analizë për këtë”, tha sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës gjatë konferencës për shtypin të enjten.

“E kemi shprehu qëndrimin tonë”, shtoi ajo, duke theksuar bisedimet e mëparshme me qeverinë izraelite.

Një zyrtar i lartë i administratës që foli në kushte anonimiteti tha se administrata amerikane ka të njëjtin shqetësim me zotin Gallant, se Izraeli nuk ka hartuar plane për mbajtjen dhe qeverisjen e territorit të vendosur nën kontroll nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, duke hapur kështu rrugën rimëkëmbjes së Hamasit në këto zona.

Kryeministri Netanjahu përqëndrohet tek shkatërrimi i Hamasit

Zoti Netanjahu thotë se planifikimi për periudhën e pasluftës nuk është i mundur pa shkatërruar fillimisht Hamasin.

Megjithëse qeveria e tij dhe Uashingtoni bien dakort se Hamasi nuk mund të vazhdojë të qeverisë Gazën, ata kanë qëndrime të ndryshme se kush duhet të jetë në krye të këtij territori pas luftës që filloi me sulmin e grupit militant ndaj Izraelit në 7 tetor.

“Nuk mbështesim dhe nuk do të mbështesim një pushtim izraelit”, përsëriti sekretari Blinken të mërkurën.

Deklarata e zotit Gallant pasqyron komentet e bëra nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë izraelitë dhe zhgënjimin e një publiku izraelit të lodhur nga lufta, tha Mairav Zonszein, analiste për çështjet izraelito-palestineze në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

“Nuk është për t’u habitur. Nuk është diçka e re”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Por mendoj se është duke u arritur në një pikë kthese për disa njerëz në qeveri, sepse marrëveshja e pengjeve dhe armëpushimi janë në një situatë ngërçi, sepse nuk po merren vendime se sa do të zgjasë kjo luftë”.

Zoti Netanjahu u tha gazetarëve të enjten se po planifikon të thërrasë ministrin e tij të mbrojtjes për “një bisedë”, pas kritikave publike që bëri zoti Gallant.

Shanset për armëpushim zbehen

Ndërkohë, perspektivat për një marrëveshje armëpushimi duken të zbehta që kur bisedimet në Kajro u ndërprenë në fillim të këtij muaji.

“Çdo përpjekje, apo marrëveshje duhet të sigurojë një armëpushim të përhershëm, një tërheqje gjithëpërfshirëse nga i gjithë Rripi i Gazës, një marrëveshje të vërtetë shkëmbimi të të burgosurve, kthimin e të zhvendosurve, rindërtimin dhe heqjen e bllokadës”, tha të mërkurën shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh.