RMV, vetëm tre përqind e parave të reklamave politike u janë paguar mediave

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk i ka shlyer plotësisht obligimet në afatin e përcaktuar me ligj, gjegjësisht deri me datën 23.08.2024 ka paguar mjete në vlerë prej 7.824.013 denarë (rreth 127 mijë euro), që paraqet vetëm tre përqind të totalit të obligimit për reklama politike me pagesë, thuhet në raportin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) lidhur me financimin e fushatave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të dorëzuar në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

“Arsyeja e vonesës është mungesa e mjeteve buxhetore, të cilat mjete i janë ricaktuar një organi tjetër shtetëror”, thuhet në dokument.

Ky raport do të shqyrtohet në Kuvend më 24 shtator.

Në raport, KSHPK-ja thekson se fushata zgjedhore është financuar me 64 përqind të mjeteve të siguruara nga Buxheti, ndërsa 36 përqind janë mjete të tjera të financimit.

Komisioni Kundër Korrupsionit thekson se vonesa e pagesës mund të shkaktojë pasoja të theksuara, siç është cenimi i besimit të subjekteve politike dhe mediave në transparencën dhe efektivitetin e procesit zgjedhor.

“Një situatë e tillë nxjerr në pah nevojën për planifikim dhe menaxhim më të mirë të burimeve financiare nga institucionet shtetërore, për të shmangur lëshime të tilla në të ardhmen”, thuhet në raportin e KSHPK-së.

Paratë për reklama mediatike sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe paguhen nga KSHZ-ja, ndërsa këtë vit është llogaritur një shumë rekord e parave të destinuara për reklama politike të paguara prej 10,6 milionë euro.

Ndryshe, mediat janë të obliguara që raportet për shërbimet e ofruara së bashku me faturat t’i dorëzojnë në KSHZ jo më vonë se pesë ditë pas heshtjes parazgjedhore. Më pas, komisioni ka detyrim t’u paguajë para jo më vonë se 30 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare. Kjo do të thotë se afati i pagesës ka kaluar që prej tre muajsh e gjysmë.

Kujtojmë se raporti preliminar nga monitorimi i portaleve online në Maqedoninë e Veriut gjatë zgjedhjeve parlamentare, i cili është përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis, tregon se qytetarët janë informuar gjatë zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë janë ekspozuar ndaj sloganeve nacionaliste, mangësive legjislative dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme mbi financimin e fushatës.