RMV, u parandalua kontrabandimi i 20 orëve të dorës të markave të famshme

Njëzet orë me vlerë 178.050 denarë me nënshkrim të markave të njohura të modës, u konfiskuan nga doganierët pas kontrollit të veturës me targa të Maqedonisë në vendkalimin kufitar Novo Sellë. Orët u zbuluan në një kuti kartoni për të cilën shoferi tha se ishte dërgesë me ilaçe të dërguara nga një mik për një fëmijë të sëmurë, transmeton Portalb.mk.

Pas zbulimit të orëve të padeklaruara, personi, përndryshe shtetas i Maqedonisë, ka deklaruar se ato janë blerë nga Zvicra. Orët e konfiskuara do t’i dorëzohen Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, ndërsa kundër personit është bërë kallëzim përkatës për shkelje të rregullave doganore.

“Drejtoria doganore në kuadër të kompetencave të saj vazhdon me aktivitete për të mbështetur ekonominë legale dhe për të shtypur ekonominë e hirtë”, thonë nga Dogana.