RMV thotë se kanë rënë lëvizjet ilegale, Brukseli: ka shumë grupe kriminele që abuzojnë me migrantët

Korniza ligjore për migracionin në Maqedoninë e Veriut është pjesërisht e përafruar me legjislacionin e BE-së. Vendi duhet të miratojë plan emergjence për të menaxhuar flukset e mëdha migratore. Për refugjatët nga Kosova, shumë prej të cilëve jetojnë në vend për dy dekada, duhet gjetur zgjidhje e qëndrueshme, nënvizon Komisioni Evropian. Më tej theksohet se numri i migrantëve të kontrabanduar mbetet i lartë dhe lufta kundër rrjeteve të kontrabandës duhet të përmirësohet si prioritet. Edhe pse vendi në prezantimin e tij gjatë skriningut, paraqet vetëm kapacitetin e dy qendrave transitore, KE-ja në vlerësimin e saj thekson se nuk janë të përshtatshme për qëndrime afatgjata dhe aktualisht nuk parashikohet përshtatja e tyre në qendra të rregullta pritëse, transmeton Portalb.mk

Migrimi legal dhe i parregullt

Maqedonia e Veriut është në harmoni me vlerësimin e KE-së, korniza e saj ligjore është pjesërisht e përafruar me Acquis-in e BE-së për sa i përket migracionit. Megjithatë në raste të caktuara, vendi gjatë prezantimit, nuk i ka përmendur mangësitë ose mungesën e reformave apo mas-zbatimeve, gjë që e ka bërë BE në vlerësimin e tij.

Përket strategjive në kët fushë, vendi ka renditur se po i zbaton një sërë dokumentesh, përfshirë këtu strategjinë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2019-2023, për të cilën BE menjëherë më pas në vlerësimin e tij thekson se zbatimi i të njëjtës duhet të përmirësohet.

Në prezantimin e vendit thuhet se “Maqedonia e Veriut përmendi një propozim për ndryshime në Ligjin për të Huajt që synon të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme (qëndrim afatgjatë) për refugjatët nga Kosova, shumë prej të cilëve jetojnë në vend për dy dekada”. Ndërkohë KE ka nënvizuar se “për refugjatët nga Kosova, shumë prej të cilëve jetojnë në vend për dy dekada, duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme“.

“Korniza ligjore e Maqedonisë së Veriut në fushën e migracionit është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së – me përafrim të pabarabartë në varësi të instrumenteve, disa prej tyre kryesisht të përafruara, të tjera që kërkojnë reforma komplekse ligjore, por edhe teknike në lidhje me sistemet e TI-së. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë një plan emergjence për të menaxhuar flukset e mëdha migratore”, thuhet në vlerësim.

Flamuri i BE-së dhe i RMV-së, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kuadri institucional

Vendi gjatë prezantimit e ka pranuar se duhet të forcojë kapacitetet e saj institucionale dhe administrative në të gjithë sektorin duke rritur numrin e të punësuarve dhe duke siguruar burime shtesë materiale dhe teknike. Ndërsa pjesa tjetër e prezantimit ka të bëjë vetëm me lëvdata për punë dhe trajnime që po i realizon vendi.

Ndërkohë, përkundrazi, BE-ja kritikon se Maqedonia e Veriut duhet të rrisë burimet financiare, njerëzore dhe teknike në të gjithë bordin në lidhje me migracionin. Në veçanti, ajo duhet të forcojë kapacitetet për kontrollet kufitare dhe për t’u marrë me migracionin e parregullt. Fragmentimi i detyrave ndërmjet institucioneve të ndryshme që merren me migracionin e bën menaxhimin më pak efektiv.

Kapaciteti implementues dhe performanca

Sa i përket kapaciteteve pritëse, vendi ka përmendur vetëm se ka një qendër të mbyllur pranimi për të huajt me kapacitet prej 120 personash. Gjithashtu se ka dy qendra të përkohshme transitore që ofrojnë akomodim afatshkurtër: një në Tabanovc (kapaciteti për 2012 persona) dhe një në Vinojug (kapaciteti për 798 persona). Por nuk ka nënvizuar kushtet në këto qendra, gjë të cilën e bën BE-ja.

“Personat identifikohen dhe regjistrohen në këto qendra tranziti dhe informohen për të drejtat e tyre pas mbërritjes. Organizatat joqeveritare ofrojnë ndihmë juridike”, thuhet në prezantimin e vendit.

Për ta zbukuruar pak situatën, Maqedonia ka përmendur se që nga marsi i vitit 2022, ka filluar të presë persona që ikin nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, kryesisht në akomodime private, të cilëve u është dhënë një status i përkohshëm mbrojtjeje.

Ndërkohë BE-ja, siç e cekëm edhe më lart, ka theksuar se dy qendrat e tranzitit nuk janë të përshtatshme për qëndrime afatgjata dhe aktualisht nuk parashikohet përshtatja e tyre në qendrat e rregullta të pritjes.

“Kostot e funksionimit të të dyja qendrave mbulohen nga burime joqeveritare dhe për shkak të statusit ligjor të të dyja qendrave, është e vështirë të sigurohet përafrim i plotë i të gjitha praktikave me standardet ligjore”, thuhet në vlerësimin e KE-së.

Gjithashtu vlerësohet se kapacitetet për menaxhimin e migracionit të ndjeshëm ndaj mbrojtjes duhet të rriten më tej.

“Maqedonia e Veriut po punon në forcimin e sistemit të saj të azilit në lidhje me personat me nevoja të veçanta dhe të miturit e pashoqëruar në kuadër të Udhërrëfyesit për bashkëpunim me EUAA. Megjithatë, nevojitet ende progres në regjistrimin sistematik të migrantëve dhe profilizimin e ndjeshëm ndaj mbrojtjes për të qenë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat e shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në vlerësim.

Migracioni legal

Prezantimi i vendit është në përputhje me vlerësimin e BE-në sa i përket harmonizimit të mëtejshëm për të drejtën e bashkimit familjar.

“Ndryshimet janë të nevojshme, veçanërisht për të përafruar me rregullat e bashkimit familjar në rastin e partneriteteve të regjistruara, sindikatave të ligjit të zakonshëm dhe kufirit të moshës së bashkëshortëve. Për punësimin me kualifikim të lartë, kuadri ligjor ende duhet të përafrohet me acquisin më të fundit të BE-së”, thuhet në prezantimin e vendit.

Për sa i përket lejes së vetme, Maqedonia e Veriut tregoi se legjislacioni i saj është pjesërisht i harmonizuar; për momentin nuk ka asnjë institucion të vetëm që punon për këtë çështje, nënvizohet gjithashtu në prezantimin e vendit.

“Maqedonisë së Veriut i mungon një mjet për ruajtjen e të dhënave për lejen e vetme. Kërkohet përmirësim i sistemit për dokumentet personale për të inkorporuar një medium për ruajtjen e të dhënave dhe për të futur baza të reja për qëndrim të përkohshëm”, thuhet në prezantimin e vendit.

Ndërkohë edhe KE gjithashtu pajtohet se në fushën e migracionit të ligjshëm, janë të nevojshme ndryshime, veçanërisht për të përafruar me bashkimin familjar për personat në partneritete të regjistruara ose në sindikatat e të drejtës së përbashkët, dhe në lidhje me kufirin e moshës së bashkëshortëve.

“Në lidhje me acquisin më të fundit të BE-së për punësimin me kualifikim të lartë, kuadri institucional dhe sistemet e TI-së për rregullat e zbatueshme për lejen e vetme, të drejtat e punonjësve sezonalë dhe kategoritë e aktiviteteve të veçanta për leje qëndrimi nuk janë në përputhje me acquis të BE-së”, thuhet në vlerësimin e BE-së.

Migrantë, emigrantë, migracion. Foto nga Humberto Chávez/Unspash
Migrantë, emigrantë, migracion. Foto nga Humberto Chávez/Unspash

Migracioni i parregullt

Sa i përket migracionit të parregullt, Maqedonia e Veriut e konsideron kornizën e saj ligjore pjesërisht të përafruar me acquisin e BE-së. Lëvizjet e parregullta Maqedonia konsideron se kanë vazhduar me ritëm të ulur krahasuar me vitet e mëparshme.

“Numri i ardhjeve të parregullta në vitin 2021 ishte 20 874 persona, krahasuar me 41 257 persona të regjistruar në vitin 2020. Janë parandaluar 20 874 tentativa të kalimit të paligjshëm në vitin 2021, krahasuar me 32 100 në 2020”, vlerëson Maqedonia e Veriut.

Pavarësisht se vendi mburret për numrin në ulje në vazhdimësi të ardhjeve të parregullta, Komisioni fokusohet në faktin se gjatë lëvizjeve të parregullta janë të angazhuar grupe kriminale që zhvasin migrantët dhe abuzojnë me to.

“Janë të nevojshme ndryshime për të përafruar legjislacionin veçanërisht për sanksionet e punëdhënësve dhe për ofrimin e ndihmës juridike falas për procedurat e kthimit. Numri i migrantëve të kontrabanduar mbetet i lartë dhe lufta kundër rrjeteve të kontrabandës duhet të përmirësohet si prioritet. Personat në lëvizje të parregullta shpesh janë të angazhuar me grupe kriminale të organizuara të kontrabandës, të cilët shpeshherë u zhvatin para dhe i abuzojnë në mënyra të ndryshme. Ekziston një mospërputhje thelbësore sistematike midis shifrave të kalimeve të parregullta të raportuara dhe pranisë në qendrat e tranzitit, të cilat shpesh janë pothuajse bosh”, thuhet në vlerësimine  KE-së

Kujtojmë se raporti i njëjtë i KE-së vlerësoi se Maqedonia e Veriut çalon shumë në aspektin e respektimit të së drejtave themelore të njeriut. Vendi ka një rekord negativ të rekomandimeve të jashtëzakonshme dhe të përsëritura të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës. Komiteti i ka vlerësuar si çnjerëzore kushtet e paraburgimit në pjesë të Idrizovës. Mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve mbeten: cilësia e dobët e kujdesit shëndetësor, dhuna ndërmjet të burgosurve, kushtet e mjerueshme materiale, mungesa e aktiviteteve të qëllimshme dhe korrupsioni endemik. Niveli i ulët i stafit në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka një ndikim serioz negativ në zbatimin e ligjit.

Edhe sa i përket masave kundër korrupsionit thuhet se vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht vulnerabël (infrastruktura publike, kadastra, prona, doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimet publike, kontratat PPP, etj.). Këta sektorë kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të dedikuara. Dobësitë në lidhje me kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit në administratën publike mbeten për t’u adresuar. Progresi i mëtejshëm vendimtar drejt krijimit të një historie solide të hetimeve proaktive, ndjekjes penale dhe vendimeve përfundimtare të rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivel të lartë, mbetet për t’u siguruar. Sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin është ende i kufizuar.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila nuk pranoi t’i votojë ndryshimin e Kushtetutës.