ANALIZË: Ambiciet për “bum investimesh” janë shkrirë – ka institucione me 0 realizime në gjashtë muaj!

Njoftimet për “bumin” e investimeve publike mbetën vetëm në letër, si një projeksion buxhetor i pa realizuar. Me rebalancin e buxhetit shkurtohen 300 milionë euro nga shpenzimet kapitale. Ndonëse ishte paralajmëruar një politikë agresive për investimet publike, të dhënat gjashtëmujore të Ministrisë së Financave tregojnë se ka institucione që kanë pasur zero realizim, ndërsa shumica e ministrive nuk kanë realizuar as një të tretën e shpenzimeve kapitale të planifikuara në një periudhë prej gjashtë muajsh, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Cilat ministri, sa para kanë shpenzuar për investime…

Ministritë me përqindje të ndryshme të realizimit të investimeve publike, për gjashtë muaj një pjesë e madhe nuk kanë arritur të realizojnë së paku një të tretën e mjeteve të planifikuara, kurse ato që kanë kaluar 50% të realizimit mund të llogariten në gishtat e njërës dorë.

Nga ministritë që kanë në dispozicion shuma milionëshe për investime kapitale, me nivelin më të ulët të realizimit janë:  Ministria e Mbrojtjes, e cila prej afro 102 milionë eurove në dispozicion, shpenzoi gati 22% në gjysmën e parë të vitit, Ministria e Punëve të Brendshme, prej 14,5 milionë eurosh për shpenzime kapitale ka realizuar 22,7%, Ministria e Bujqësisë prej 15,5 milionë eurove për investime ka shpenzuar 22,4%, Ministria e Punëve të Jashtme nga 521 mijë euro të planifikuara ka realizuar vetëm 12,07%, Ministria e Financave nga afro 10 milionë euro, për gjashtë muaj ka shpenzuar  20,7%, ndërsa Ministria e Financave – funksionet e shtetit nga 55,3 milionë euro ka realizuar 53,2%. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka realizuar 32,2%, ndërsa Ministria e Arsimit prej afro 30 milionë eurosh për shpenzime kapitale ka shpenzuar afro 27%.

Ministria e Mjedisit Jetësor ka një realizim prej vetëm 12% të 20,6 milionë eurove të planifikuara. Ministria e Shëndetësisë nga totali i buxhetit për investime në vlerë prej 9,5 milionë eurosh ka shpenzuar 30%, ndërsa MSHIA-ja nga 2,5 milionët euro në dispozicion, për gjashtë muaj ka realizuar 23,4%.  Ministria e Sistemit Politik nga 36.500 eurot e planifikuara ka shpenzuar 34,5%, Ministria e Drejtësisë realizuar 3,08%, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka realizuar 27% të investimeve kapitale në vlerë prej 60.000 euro.

Në grupin e ministrive me përqindje më të lartë të realizimit të shpenzimeve kapitale janë Ministria e Ekonomisë, e cila prej 5,1 milionë eurove në dispozicion, ka shpenzuar 73% për investime publike, Ministria e Transportit ka realizuar 61,3% nga 305,5 milionë eurot e planifikuara, kurse Ministria e Kulturës ka një realizim prej rreth 40%.

Ka edhe institucione me realizim “zero” të investimeve..

Kuvendi i RMV-së, i cili në buxhetin aktual ka në dispozicion 1,7 milionë euro, në fund të gjashtëmujorit tët parë ekonomik ka realizuar 19,1%.

Me realizim “zero” të shpenzimeve kapitale janë: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve me një buxhet për investime prej 41.300 euro, Këshilli Fiskal, Këshilli i Inspektimit që kishte në dispozicion madje 300 mijë euro për shpenzime kapitale, e në këtë grup bëjnë pjesë edhe Këshilli i Menaxhimit dhe Mbikëqyrjes së Revizionit, Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, Inspektorati Shtetëror i Pyjeve, Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe disa inspektorate të tjera, e ato përgjithësisht kanë shuma më të vogla në dispozicion për shpenzime kapitale.

Interesante janë institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë.  Kështu, ATO (Agjencia Teknike Operative) e cila realizoi vetëm 0,23% të buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale në vlerë prej 3 milionë euro, si dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare, e cila për gjashtë muaj shpenzoi 0.11% të 1.5 milionë eurove në dispozicion. Në këtë grup është edhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, ku nga 3,1 milionë eurot e planifikuara për shpenzime kapitale, janë shpenzuar vetëm 0,81%. Me një realizim të dobët prej vetëm 1,33% të totalit prej 2,2 milionë eurosh është Drejtoria e të Ardhurave Publike, ndërsa Sekretariati për Çështjet Evropiane, i cili me pozicionet aktuale buxhetore ka në dispozicion 50.100 euro, ka realizuar rreth 2%.

Pushteti gjyqësor, për të cilën ishin planifikuar 2,2 milionë euro për shpenzime kapitale, për gjashtë muaj ka realizuar 8,6%. Te Prokuroria Publike realizimi është gati 50%, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë ka shpenzuar afër 60% të mjeteve të planifikuara për shpenzime kapitale.