RMV, shpenzimet minimale të një familje në gusht i kaluan 60.000 denarë

Shpenzimet minimale mujore të një familje janë rritur për 629 denarë në gusht në krahasim me korrikun, njoftoi sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila përgatit shportën minimale sindikale, transmeton Portalb.mk.

Sipas llogaritjeve të LSM-së, në gusht vlera e shportës minimale ishte 61.199 denarë.

Në periudhën nga janari deri në gusht, shporta minimale është rritur për 4.036 denarë, dhe prej kur është llogaritur sipas metodologjisë së re, përkatësisht nga dhjetori i vitit të kaluar deri në gusht të këtij viti, për 4.677 denarë.

“Të dhënat nga shporta minimale e Sindikatës tregojnë se edhe pa rritje të pagave, kostoja e jetesës po rritet, nuk ka asnjë justifikim dhe askush nuk po përpiqet ta parandalojë dhe i varfëron qytetarët, punëtorët dhe pensionistët. . Të dhënat nga shporta minimale e Lidhjes duhet të thyejnë dilemat e të gjithë atyre që mendojnë se pagat e punëtorëve janë fajtore më të mëdha për rritjen e inflacionit, pra rritjen e kostos së jetesës. Vetëm me rritjen e pagave mund të ruhet standardi i jetesës së punëtorëve dhe pikërisht për këtë arsyetohen kërkesat e punëtorëve për rritje të pagave”, thonë nga LSM.

Ndryshe, edhe të dhënat e fundit statistikore tregojnë për rritje të re të shpenzimeve për jetesë në Maqedoninë e Veriut, e cila ndikon edhe tek inflacioni. Në kulmin e verës, çmimet tejet të larta në restorante dhe hotele, shpenzimet e larta për transport, mjekim dhe banim e mbajnë inflacionin në një nivel shumë të lartë.