RMV, sezoni i ngrohjes ka nisur, ndërsa qeveria ende nuk i ka ndarë vauçerët për inverterët

Ka nisur sezoni i ngrohjes, ndërsa qytetarët nuk kanë marrë ende vauçerët e qeverisë për blerjen e kondicionerëve inverter. Kanë kaluar tetë muaj nga shpallja e dhënë nga Ministria e Ekonomisë, por ende nuk janë publikuar listat e qytetarëve që kanë plotësuar kushtet dhe as nuk dihet se kur do të jepen saktësisht, transmeton Portalb.mk.

Këtë masë për uljen e ndotjes dhe ndryshimin e mënyrës së ngrohjes së amvisërive e kanë paralajmëruar Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së. Por vauçerët nuk u shpërndanë deri në zgjedhje. Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe “VLEN” u tha se projekti do të realizohet, por meqë nuk ka para duhet pritur ribalancimi i Buxhetit. Ribalanci është votuar dy muaj më parë, por vauçerët akund.

Nga Ministria e Energjisë, e cila po merr përsipër këtë projekt nga Ministria e Ekonomisë, thonë se së shpejti do të ndahen vauçerët, por nuk specifikojnë se kur.

“Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të fillojë së shpejti dhënien e vauçerëve për blerjen e inverterëve për të cilët aplikantët kanë plotësuar kriteret e tenderëve të shpallur, të cilët janë aplikuar në shkurt të këtij viti. Shpërndarja pritet të fillojë menjëherë pas përfundimit të shqyrtimit të aplikantëve përmes institucioneve përkatëse të përfshira në proces. Janë siguruar burime financiare për rreth 8 mijë kupona për kondicionerë me inverter”, tha Ministria e Energjisë, transmeton SDK.

Shpallja ka pranuar gjithsej 18.805 kërkesa për dy thirrjet publike në katër ditë. Kërkesa për shpalljen që nuk i referohet kategorive vulnerabël të konsumatorëve kanë paraqitur 14.500 aplikantë, ndërsa për konsumatorët në nevojë kanë aplikuar 4.305 qytetarë.

Nuk dihet as ku do të jenë në dispozicion inverterët. U tha se do të shpallet një thirrje publike për përzgjedhjen e kompanive, por nuk ka informacion për këtë.

Sipas njoftimeve qytetarët do t’i marrin vauçer në adresën e banesës.