RMV, rezultatet fillestare jozyrtare KSHZ-ja do t’i shpallë rreth mesnate

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) rreth mesnatës do t’i shpallë rezultatet fillestare jozyrtare të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, transmeton Portalb.mk.

“Meqenëse të dhënat nga Komisionet Komunale Zgjedhore i marrim me ndihmën e IT-së, shpresojmë se para mesnatës do të kemi më shumë se 50 për qind të rezultateve dhe do të mund t’i shpallim”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

I pyetur nëse ka të dhëna për pezullim të votimit në vendvotime të caktuara, ai theksoi se ka kundërshtime dhe të dhëna zyrtare vetëm për tri vendvotime në Kumanovë, një ku ka humbur vulën, ndërsa dy për shkak se aparati për verifikim biometrik nuk ka punuar.

Ditmire Shehu ka sqaruar se sipas Kodit Zgjedhor, në vendet ku votimi nuk ka filluar prej më shumë se tre orësh, ndërpritet dhe të tilla kanë qenë tre vende në Kumanovë.

“Në qendrat e tjera të votimit votimi po zhvillohet normalisht. Kur ka një ndërprerje më pak se tre orë, si gjysmë ore ose një orë, votimi do të vazhdojë në ato vende për aq kohë sa është ndërprerë. Nga vendvotimet e tjera si KSHZ, nuk kemi vërejtje zyrtar, as komisionet komunale zgjedhore, as këshillat zgjedhorë sepse jemi në koordinim me të gjith;”, tha nënkryetarja Shehu.

Në pyetjen nëse KSHZ-ja ka të dhëna se në listën zgjedhore ka edhe persona të vdekur, ajo theksoi se Komisioni i merr të dhënat nga MPB-ja dhe Drejtoria për Mbajtjen e Evidencës Civile.

“Sipas Kodit Zgjedhor, të gjithë qytetarët që vdesin 30 ditë para zgjedhjeve janë pjesë e listës zgjedhore sepse më pas është e bllokuar”, tha ajo.

Ai shtoi se katër herë në vit KSHZ-ja e pastron Listën Zgjedhore me të dhëna që i merr nga institucionet tjera me të cilat, siç tha, është në koordinim të vazhdueshëm.

Ka pasur edhe raste kur një numër i caktuar i votuesve nuk kanë qenë në listat e votimit dhe, siç ka sqaruar Dashtevski, atyre iu është dhënë mundësia që përmes KKZ-së të paraqesin kundërshtim që shkon në KSHZ.

“Ne e kërkojmë këtu në listë, pse nuk figuron, nëse çdo gjë është në rregull, dhe shohim mjaft kundërshtime, i miratojmë me zgjidhje, i lejohet të votojë”, tha Dashtevski, duke shtuar se po flasim për njëqind persona të tillë.

Më herët ai ka bërë të ditur se dalja në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 17:00 ka qenë 44,18 për qind, sipas të dhënave të KSHZ-së nga 1788 vendvotime. Nga gjithsej 899.977 votues të regjistruar, në këto qendra votimi kanë votuar 397.612 votues. Deri në orën 17:00 në KSHZ janë dorëzuar 308 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës së votimit, nga të cilat 75 janë pranuar dhe zgjedhësve iu është mundësuar të ushtrojnë të drejtën e votës, 25 janë refuzuar si të parregullta, 38 janë refuzuar dhe pjesa tjetër janë duke u përpunuar.