RMV, prej sot është vendosur ndalesë e plotë për lëvizje në pyje

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, me kërkesë të NP “Pyjet Kombëtare”, ka dhënë pëlqimin për vendosjen e ndalimit të plotë të lëvizjes në pyje dhe toka pyjore. Pëlqimi i tillë jepet në përputhje me nenin 57, paragrafi 3 i Ligjit për Pyjet, për shkak të rrezikut të shtuar dhe parandalimit të zjarreve në pyje në hapësirë ​​të hapur, transmeton Portalb.mk.

Ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje dhe toka pyjore është duke u vendosur në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili fillon nga sot dhe do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00. 

Ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje do të zgjasë deri në vlerësimin se rreziku i zjarreve në pyje është ulur. Lëvizja në pyje do të lejohet vetëm me miratim me shkrim të lëshuar nga filialet e NP “Pyjet Kombëtare”.

Ata që nuk do ta respektojnë këtë ndalim të plotë të lëvizjes në pyje dhe toka pyjore, personat fizik që do të konstatohen duke lëvizur në pyje dhe toka pyjore, sipas nenit 106 të Ligjit për Pyjet, do të dënohen me gjobë prej 1.500 deri. 2000 euro në kundërvlerë në denarë.

Ndryshe, një helikopter dhe dy “airtraktorë” nga Republika e Turqisë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në vend dhe i janë bashkuar luftës kundër zjarreve. Helikopteri dhe dy “airtraktorët” zbarkuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mëngjesin e sotëm dhe nga atje do të drejtohen drejt disa prej zjarreve aktive.

Kujtojmë se dje u shpall gjendje e krizës 30-ditore në Maqedoninë e Veriut, pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut i vlerësoi serioze kërcënimet që vijnë nga zjarret aktive në vend.