RMV, notë mesatare “tresh” për nxënësit në maturën shtetërore

Nota mesatare e arritur nga nxënësit e shkollave të mesme në maturën shtetërore këtë vit është 3.25, më pak se vitin e kaluar dhe një vit paraprak, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në vitin 2023 nota mesatare ishte 3,65, ndërsa në vitin 2022 ishte 3,78. Kjo, sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve si institucion kompetent për zbatimin e procesit, është rezultat i masave të rrepta gjatë provimit që janë marrë këtë herë, transmeton Portalb.mk.

Në provimin e jashtëm të detyrueshëm në gjuhën amtare më 1 qershor kishte 14.834 kandidatë të regjistruar, ndërsa më 8 qershor është dhënë lënda me zgjedhje dhe testimi është bërë në sallat e shkollave, për kontroll më të madh dhe vëzhgim të nxënësve.

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajlovska, informoi se 49 nxënës gjatë zgjidhjes së testeve kanë përdorur celularin, ndërsa 4 nxënës janë kapur duke kopjuar zgjidhje të bazuara në përgjigjet e marra paraprakisht në pyetje.

Gjatë vlerësimit të testeve, vlerësuesit zbuluan 175 nxënës që kopjuan testet, si dhe 22 plagjiatura. 268 nxënësve të cilëve u është anuluar provimi do të mund ta marrin sërish në periudhën e provimit të gushtit.

Siç tha Mihajlovska, më së shumti shkelje të rregullave për marrjen e Maturës Shtetërore janë konstatuar në “Arseni Jovkov” – Shkup, gjithsej 32, pastaj në “Dr. Pançe Karagjozov” – Shkup, ku janë shqiptuar 18 masa në “8 Shtator” – Tetovë janë shqiptuar 14 masa, 13 masa për shkelje të rregullave të testimit janë shqiptuar në “Metodija Mitevski – Brico” – Shkup dhe “28 Nëntori” – Dibër. Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” – Shkup janë shqiptuar 12 masa për largim nga procesi i dhënies së provimit të maturës shtetërore.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke i uruar nxënësit të cilët e kanë kryer me sukses provimin e maturës dhe kanë konfirmuar njohuritë e marra në arsimin e mesëm, theksoi se sipas rregullave ligjore në vend dhe në shumë vende të tjera, diploma është parakusht për pranim në universitet.

Për vitin e ardhshëm ajo premtoi dy risi që do të ndihmojnë në organizimin më të mirë të provimit të maturës shtetërore.

“Ne do të mundohemi që të mos ketë kopjime dhe veprime të tjera të kundërligjshme, joetike dhe imorale si të nxënësve, ashtu edhe të testuesve dhe vëzhguesve”, tha Janevska dhe shtoi:

“Unë do të insistoj që kalimi i Maturës Shtetërore të kryhet në amfiteatrot dhe hapësirat e tjera të fakulteteve publike ku ka bllokues dhe teknologji të tjera që do të pengojnë përdorimin e pajisjeve të komunikimit gjatë dhënies së provimit, sepse në shumicën e rasteve individuale dhe kopjimeve masiv bëhet përmes përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera në të cilat janë instaluar aplikacionet e komunikimit”.

Masa e dytë i referohet ndryshimit të rregullave për dhënien e provimit të maturës shtetërore, nga pikëpamja e rritjes së përgjegjësive të personave të përfshirë në proces.

“Duhet të ketë sanksione për vëzhguesit, testuesit dhe për të gjithë ata që ndajnë hapësirat me nxënësit që po japin provime dhe bëjnë lëshime e mbyllin sytë ndaj aktiviteteve jokorrekte të nxënësve”, tha ministrja.

Maturantët që nuk do të kalojnë maturën shtetërore në sesionin e qershorit do të mund të regjistrohen në sesionin e gushtit kur do të jepen dy provimet e jashtme në datat 12 dhe 14 gusht 2024.