Padi për drejtoreshën nën dyshimet se e ka dëmtuar buxhetin qindra mijëra denarë duke kryer vepra të ndryshme penale

Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj një të dyshuarës për kryerjen e veprave penale, si keqpërdorimi i pozitës zyrtare, punë të pakujdesshme, falsifikim të dokumenteve dhe përdorim të dokumenteve me të dhëna të rrejshme, transmeton Portalb.mk.

“SPB Manastir deri te Prokuroria Themelore Publike ka paraqitur kallëzim penal ndaj 57 vjeçares nga Manastiri, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e katër veprave penale”, deklarojnë nga Ministria për Punë të Brendshme.

Ajo dyshohet se këto vepra i ka kryer në pozitën e drejtorit të konviktit shtetëror të nxënësve në Manastir. Së bashku me sekretarin, kanë kryer falsifikime të ndryshme, ashtu që udhëtimet me veturë private i ka shënuar se janë kryer me veturën zyrtare, ndërkohë kur ka përdorur veturën zyrtare jashtë shtetit, ka pasur udhëtar që nuk janë të punësuar në këtë institucion.

Raportohet që me qëllim nuk e ka miratuar kërkesën për pushim vjetor të sekretarit, ashtu që të paguan 103 989 denarë për këto ditët e pushimit, edhe pse sekretari nuk është paraqitur rregullisht në punë gjatë asaj periudhe. Pas pensionimit, atij i është mundësuar përdorimi i telefonit celular dhe kontrata në vepër. Ajo ka paguar edhe kontratë ne vepër 180 mijë denarë te një kompani juridike për kryerjen e kontabilitetit në konvikt.

Drejtoresha ka dërguar në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë edhe numër jo të saktë të nxënësve që gjenden në konvikt, me qëllim që të marrin më shumë mjete financiare nga buxheti i shtetit. Në këtë pjesë e ka dëmtuar buxhetin me 202 500 denarë.