RMV, një nxënës i shkollës së mesme është paraqitur si mësues dhe ka marrë fjalëkalim për ditarin elektronik që e ka përdorur për tre vite
Një nxënës në një shkollë të mesme në Prilep është paraqitur në mënyrë të rreme si mësues i gjuhës angleze nga Vinica dhe ka marrë qasje në ditarin elektronik nga Ministria e Arsimit. Ministria e Punëve të Brendshme dyshon për veprën penale “falsifikim kompjuterik”, pasi për tre vite ka përdorur fjalëkalimin e MASH-it dhe ka pasur qasje në të gjitha të dhënat e të gjithë profesorëve në nivel shtetëror, transmeton Portalb.mk.
SPB Prilep ka paraqitur njoftim kundër një nxënësi të shkollës së mesme në Prilep, i cili duke u paraqitur rrejshëm si mësues i gjuhës angleze nga një shkollë fillore në Vinicë, ka krijuar profil dhe ka kontaktuar një punonjëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ajo e ka udhëzuar se komunikimet me mësuesit nuk duhet të zhvillohen në rrjete sociale dhe i ka krijuar adresë zyrtare elektronike të Ministrisë, si dhe i ka dhënë fjalëkalimet për ditarin elektronik si administrator nga llogaria e saj.
Sipas MPB-së, ajo i ka thënë që të koordinojë të gjithë mësuesit. I dyshuari ka pasur qasje në të dhënat e të gjithë profesorëve në nivel shtetëror, i ka koordinuar dhe i ka ndihmuar në përdorimin e e-ditarit.
Në periudhën nga viti 2022 deri në nëntor 2025, deri në momentin kur ish-drejtoresha e përkohshme e ka informuar se një profesoreshë ka raportuar se dikush po fshin të dhënat nga ditari elektronik në shkollë, i dyshuari ka fshirë të gjitha profilet dhe llogaritë nga profili i rremë në rrjetet sociale, ndërsa më vonë është fshirë edhe profili nga emaili zyrtar i MASH.